Osmani në PodGo: Garën për Çairin e kam nisur me bindje për fitore

Kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale. Ai tha se garës për kryetar të Çairit i ka hyrë me besimin se do të fitojë, duke përmendur shembuj të tjerë të suksesshëm nga karriera e tij politike.
"20 vite prej kur është themeluar Komuna e Çairit ka udhëhequr një njeri, dhe te njerëzit është krijuar ndjenja e dëshpërimit se nuk bëhet mirë. E para që do të bëhet më 20 tetor është se njerëzit do ta shohin se mund të bëhet më mirë. Unë e kam dëshmuar se mund të bëhet më mirë. Shembull kemi emrin e shtetit, për të cilin thonin se nuk bëhet, e bëmë këtë dhe sot Maqedonia e Veriut është në NATO. Edhe te Çairi kam hyrë me atë se mund të bëhet më mirë", tha Osmani.
I pyetur nëse do ta respektojë vullnetin e popullit, si do të që jetë ai, Osmani tha se i beson popullit nëse zgjedhjet janë fer.
"Besoj te populli nëse zgjedhjet janë fer. Pasi kjo fushatë ka qenë asimetrike. Shteti dhe partia e ka humbur kuptimin komplet. Tani oponentët tanë e fshehin kryetarin aktual të komunës, siç e kemi fshehur ne në vitin 2018", tha Osmani.
Sa i përket 100 ditëve të para, nëse ai zgjidhet kryetar komune, ai tha se më 20 tetor qytetarët do ta ndjejnë çlirimin.
"Të hënën më 20 tetor qytetarët do ta ndjejnë se fillon epokë e re për Çairin. Për të kryer një punë administrative në Komunën e Çairit, qytetarët duhet të shkojnë në një restorant që është në pronësi të një zv.ministri. Punën e parë që do ta bëjmë është ta kthejmë Komunën e Çairit në Çair. Nëse për 100 ditët e para nuk sjell korrupsionin në zero, nëse nuk e pastroj Çairin, nuk e vazhdoj më tutje", tha Osmani.
Në lidhje me arsimin në Çair, Osmani tha se arsimi është në gjendje të rëndë.
"Ata që më njohin e dijnë mënyrën si funksionoj. Te çështja e drejtorëve të shkollave do të zgjedhim më profesionistët. 15 vite shkolla qendrore ka xhirollogari të bllokuar. Prindërit vet i rinovojnë toaletet dhe investojnë në shkolla. Nuk duhet ta lejojmë këtë", tha mes tjerash Osmani.
Në lidhje me projektet infrastrukturore, Osmani tha se ka angazhuar njëri nga ekspertët më të mirë botëror.
"Sipas analizës sonë Çairi për disa vite do të kolabojë. Njerëzit thonë se në mundësinë e parë do të ikin. Unë kam angazhuar arkitektin më të mirë në botë, kemi bërë analiza dhe kemi përcaktuar prioritete. Analiza tregon se Çairi është komunë e veturave dhe objekteve. Ne kemi definuar fillimisht problemet, pastaj kemi gjetur zgjidhje. Kemi probleme emergjente që janë: papastërtia, mungesa e parkingjeve, ndërtesat pa leje, korrupsioni dhe siguria. Ditët e para do të shpallim gjendje krize për këto çështje", tha Osmani.
Ai i siguroi qytetarët se nëse zgjidhet kryetar i Çairit, nuk do të lejojë ndërtime pa leje. Kurse sa i përket çerdheve, Osmani premtoi se do të ndërtojë dy çerdhe të reja dhe të mëdha që do të mbulojnë nevojat e qytetarëve të Çairit.
"Çerdhet janë problem i madh. Ka mungesë të çerdheve. Do të bëjmë rikonstruim të plotë të çerdheve ekzistuese. Por do të bëjmë edhe dy çerdhe të reja të mëdha. Kam luftuar edhe në qeveri, por nuk kam arritur ta bind, që arsimi parashkollor të jetë i obligueshëm. Pasi kur lexova analiza pse fëmijët e Maqedonisë dalin keq në testimet PISA, atje thuhej se dallimi është i madh i fëmijëve që kanë arsim parashkollor dhe i atyre që nuk kanë. Dmth ndikon shumë në cilësinë e fëmijëve arsimi parashkollor. Fëmijët dua t'i shoh me uniformë. Komuna do të sigurojë uniforma për nxënësit", tha Osmani.
Në temën e turizmit e pyetëm për Çarshinë e Shkupit, ndërsa tha se ky aset turistik do të jetë prioritet në planin e tij për Çairin.
"Çairi detë nuk ka por e ka Çarshinë me vlerën e një deti. Çarshia e Çairit nuk ka plan detal urbanistik që nga viti 1997, e cila me ligj duhet të bëhet çdo pesë vit. Disa investime që janë bërë janë bërë nga qeveria, ndërsa komuna nuk ka bërë asnjë investim. Një prej prioriteteve kryesore të mia do të jetë Çarshia e Çairit", tha Osmani./Telegrafi/

















































