Presidentja Vjosa Osmani me ftesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS).

Në organizimin e mbajtur në selinë e OKB-së, presidentja Osmani, në emër të Republikës së Kosovës, shpalosi të arriturat dhe objektivat e Kosovës për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.


Presidentja vuri në pah rolin e jashtëzakonshëm që gratë e Kosovës kanë luajtur në procese të paqes dhe sigurisë përgjatë etapave të ndryshme të historisë. Ajo potencoi se Kosova tashmë po i udhëheq përpjekjet në rajon për zbatimin e kësaj agjende.

Për më tepër, e para e shtetit tha se Kosova është e gatshme të japë kontribut në nivel ndërkombëtar për zbatimin e kësaj agjende, me ç’rast vuri në pah përpjekjet e Kosovës për të ndihmuar gratë në Ukrainë, Afganistan dhe në çdo vend ku po ndodhin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

4 28 scaled

Më këtë rast, Osmani foli edhe për Forumin global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet këtë vit për herë të dytë në Kosovë, si dhe paralajmëroi që Kosova do të bëhet së shpejti vendi nikoqir i qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Zyra e Sekretarit Blinken vuri në pah arritjet e Kosovës në këtë drejtim dhe punën e Presidentes dedikuar kësaj agjende, duke e quajtur Kosovën si një ndër shembujt më të mirë të këtij angazhimi. /Telegrafi/