OSHP rrëzon ankesën për tenderin e stadiumit të Gjilanit, miraton pjesërisht atë të operatorit tjetër

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim lidhur me ankesat e paraqitura për tenderin e stadiumit në Gjilan, duke refuzuar njërën dhe miratuar pjesërisht tjetrën.
Sipas vendimit të publikuar më 12 maj 2025 nga OSHP, bëhet e ditur se është refuzuar si e pabazuar ankesën e kompanisë “Raf II” SHPK.
Sipas dokumentit, kjo kompani kishte kontestuar dhënien e kontratës për projektin “Punë ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm për rregullimin hapësinor, të arkitekturës dhe inxhinierisë, për rindërtimin e përshatshëm të stadiumit në Gjilan, në përputhje me kategorinë IV të rregulloreve dhe udhëzimeve të UEFA-s”.
Në të njëjtën kohë, OSHP ka aprovuar pjesërisht ankesën e kompanisë tjetër “Conex” L.L.C., duke kërkuar që një pjesë e procedurës së prokurimit të rikthehet për rishqyrtim në Autoritetin Kontraktues, përkatësisht Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Vendimi i OSHP-së lë në fuqi njoftimin mbi vendimin e mëparshëm të Ministrisë së Kulturës, por e kthen pjesërisht çështjen për rishqyrtim, duke kërkuar respektim të plotë të kritereve ligjore dhe teknike në procedurën e prokurimit. /Telegrafi/


















































