Ortopedi Shaqiri: Mos i neglizhoni shenjat akute dhe kronike të dhimbjeve në nyje e shpinë

Ortopedi Imran Shaqiri ka theksuar rëndësinë e reagimit në kohë ndaj shenjave paralajmëruese që lidhen me problemet ortopedike, duke bërë thirrje që qytetarët të mos i neglizhojnë simptomat, sidomos kur ato zgjasin më shumë se një ose dy ditë.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Shaqiri ka sqaruar se shenjat akute, si ënjtja, skuqja dhe dhimbja e vazhdueshme, janë sinjale serioze që kërkojnë vlerësim mjekësor.
“Shenjat akute, nëse është ënjtje, skuqje, dhimbja, nëse persiston për shembull një ditë apo dy, nuk duhet me neglizhu dhe duhet me u paraqit për të parë se çfarë është problemi”, ka thënë Shaqiri.
Ai ka folur edhe për shenjat kronike, të cilat shpesh lidhen me sëmundje degjenerative si artroza, si dhe me problemet e shpinës dhe gjunjëve.
Sipas tij, dhimbjet gjatë natës, mpirja e duarve dhe e këmbëve janë simptoma që kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe konsultim me mjekun.
“Shenjat kronike zakonisht i shohim tek artroza dhe problemet me shpinë e me gjunjë. Dhimbjet gjatë natës, mpirja e duarve dhe e këmbëve janë shenja që duhet me u paraqit menjëherë tek mjeku”, ka theksuar ortopedi Shaqiri.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
- YouTube www.youtube.com
















































