Ortodoksët festojnë sot Ditën para Krishtlindjes, ditën që paraprin lindjes së Jezus Krishtit.

Tradicionalisht, si çdo vit, edhe këtë vit janë organizuar procesione për këtë ditë. Nën organizimin e Shoqatës “Procesionet e Ditës para Krishtlindjes”, ngjarja u zhvillua në më shumë se 80 qytete dhe fshatra në të gjithë Maqedoninë e Veriut, si dhe në diasporë.


Procesioni kryesor në Shkup bashkoi pjesëmarrës nga pothuajse të gjitha komunat e kryeqytetit, së bashku me kryetarët e tyre. Procesioni filloi nga Muzeu i Qytetit të Shkupit, duke kaluar përmes Rrugës “Maqedonia” dhe përfundoi në sheshin para shpellës së Krishtlindjes, ku u zhvillua edhe një program i pasur muzikor. Disa nga pjesëmarrësit, paradite zhvilluan edhe një takim solemn me Kryepeshkopin e Ohrit dhe të Maqedonisë, Hirësinë e Tij Stefanin, në Katedralen “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup. Atje ata kënduan këngën “Zoti i Përjetshëm”, e cila paralajmëron lajmin e gëzuar për lindjen e Krishtit.

“Festa e lindjes së Krishtit, ose besimi dhe njohuria se Biri i Zotit u bë edhe Bir njeriu, u bë Zot-njeri për të na shpëtuar nga rënia, le të na bëjë të guximshëm në dëshmimin e së vërtetës, bujarë në shfaqjen e dashurisë dhe të fortë në përballje me tundimet. Le t’i afrohemi Foshnjës Hyjnore, që edhe vet të lindim për një jetë të re në të, dhe përmes nesh bota të përjetojë paqen dhe gëzimin, që vetëm Ai mund t’i dhurojë dhe që vazhdimisht i dhuron të gjithë atyre, të cilëve shpirti dhe zemra e tyre edhe sot dhe çdo ditë lartësojnë.

Krishti lindi, Krishti lindi, Krishti lindi – urime dhe bekime nga Zoti për vitin e ri!”, tha H.t. Stefani – kryepeshkop i Kishës Ortodokse Maqedonase.