Në vazhdën e një shkëmbimi të ashpër fjalësh në rrjetin social X (ish-Twitter), kryeministri hungarez, Viktor Orban i është përgjigjur sërish homologut suedez, Ulf Kristersson, duke theksuar se “Suedia është mik i Hungarisë, por ti nuk je”.

Kjo përplasje ka filluar pas kritikave të Orbanit ndaj situatës së kriminalitetit në Suedi, ku ai ka akuzuar autoritetet suedeze se po i japin mësime për sundimin e ligjit ndërkohë që sipas tij, vendi po përjeton një rritje të kriminalitetit të organizuar.


Në përgjigje, Kristersson ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar si "gënjeshtra të neveritshme" dhe ka kërkuar që Hungaria të mos përfshihet në fushatën e tij zgjedhore.

Në reagimin e tij të fundit, lideri hungarez ka renditur disa veprime që ai i konsideron si kundër Hungarisë nga ana e qeverisë suedeze, përfshirë ndërhyrjet në procedura ligjore dhe mbështetje për masa që ai i sheh si të dëmshme për sovranitetin e Hungarisë.

Ai ka theksuar se, megjithatë, populli suedez mbetet mik i Hungarisë, duke bërë dallimin mes popujve dhe qeverive të tyre.

Ky shkëmbim i ashpër i fjalëve reflekton tensionet e vazhdueshme mes dy vendeve, veçanërisht në lidhje me çështje të sundimit të ligjit, sovranitetit dhe politikës së jashtme. /Telegrafi/