Oprah Winfrey do të kthehet në Australi për herë të parë pas 15 vitesh këtë nëntor, për një turne kombëtar me pesë ndalesa, ku do të mbajë fjalime para publikut në një seri eventesh “në bisedë”.

Turneu do të organizohet nga kompania TEG Dainty dhe pritet të jetë një nga ngjarjet më të profilit të lartë të vitit në Australi.


Vizita e fundit e Winfrey-t në vend në vitin 2010 ishte një moment historik kulturor, kur ajo xhiroi katër episode të “The Oprah Winfrey Show” në Shtëpinë e Operas në Sidnei, shkruan DailyMail.

Episodet u transmetuan në 145 vende, duke i dhënë Australisë një ekspozim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Ato përfshinë momente të paharrueshme si dhurata surprizë për audiencën, përfshirë një donacion prej 250,000 dollarësh (afërsisht 229,000 euro) dhe aksidentin e Hugh Jackman gjatë një hyrjeje dramatike në skenë.

Oprah pritet të shfrytëzojë kohën në Australi edhe për disa ditë pushimi privat. Burime të brendshme kanë konfirmuar se ekipi i saj ka rezervuar në heshtje lokacione në disa qytete për turneun, ndërsa detajet zyrtare pritet të publikohen së shpejti.

Turneu vjen si një rikthim simbolik në vendin ku Oprah u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm, duke përfshirë mijëra fansa që kishin pritur me orë të tëra për ta parë live. Kjo vizitë e re pritet të ngjallë sërish emocione dhe interes masiv nga publiku australian. /Telegrafi/