Operacion i rrallë në Gjilan, kirurgët heqin me sukses tumorin nga zorra e trashë

Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale e ndjeshme dhe e rrallë, për heqjen e një mase tumorale në zorrën e trashë të një pacienti të moshës së mesme.
Pacienti ishte diagnostikuar gjatë një kolonoskopie me një masë të dyshimtë në kalimin mes kolonit sigmoid dhe rektumit.
“Pas diagnostikimit të plotë, pacienti iu nënshtrua një operacioni për heqjen e kolonit të majtë dhe tumorit, i cili u realizua me metodën moderne laparoskopike”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Ndërhyrja u krye nga ekipi i Repartit të Kirurgjisë, në bashkëpunim me anesteziologët dhe teknikët e spitalit, duke dëshmuar përgatitje dhe profesionalizëm të lartë.
Në ekipin mjekësor morën pjesë: Dr. Kushtrim Qerimi, Dr. Arbër Morina, Dr. Alban Bislimaj, Dr. Lavdrim Kastrati, ekipi i anestezionit Dr. Sulltan Sylejmani me Dr. Dautin, si dhe teknikët Ganimete, Liridoni, Majlinda, Mirjeta dhe të tjerë.
Spitali ka bërë të ditur se ndërhyrja u përmbyll me sukses dhe se pacientja është në fazë rikuperimi. /Telegrafi/

















































