Onkologët e rinj mbeten jashtë QKUK-së, kërkojnë vend pune dhe integrim në sistem

Në një kohë kur numri i pacientëve me sëmundje malinje në Kosovë vazhdon të rritet nga viti në vit, sistemi shëndetësor po përballet me mungesë të theksuar të onkologëve aktivë në shërbim publik, ndërkohë që disa specialistë të rinj të kësaj fushe vazhdojnë të mbeten pa punë.
Me një situatë të tillë po përballen katër onkologë të rinj të diplomuar të trajnuar për vite me radhë me investim publik dhe personal.
Dr. Labinot Kastrati – Onkolog Radioterapeut, Dr. Egzona Bytyqi – Onkologe Mjekësore, Dr. Gzim Buzhala – Onkolog Mjekësor dhe Dr. Atdhe Agaj – Onkolog Mjekësor, në një deklaratë të përbashkët për Telegrafin, kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën aktuale të shërbimeve onkologjike në vend.
“Ne, onkologët e poshtëshënuar, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me situatën aktuale të shërbimeve onkologjike në Kosovë. Çdo specialist i papunësuar është një mundësi e humbur për diagnostikim më të shpejtë, për trajtim më të personalizuar dhe për ulje të barrës së përgjithshme të sëmundjeve malinje në Kosovë”, thuhet në deklaratën e tyre.
Sipas tyre, një nga problemet kryesore është përqendrimi i shërbimeve onkologjike vetëm në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Aktualisht, shërbimet onkologjike publike ofrohen kryesisht vetëm në kuadër të QKUK-së, gjë që krijon ngarkesë të madhe për këtë institucion dhe vështirësi shtesë për pacientët nga të gjitha rajonet e vendit”, thonë ata.
Onkologët theksojnë se mbingarkesa për mjekët ekzistues ndikon direkt edhe në cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.
“Një onkolog shpesh detyrohet të menaxhojë një numër shumë më të madh pacientësh sesa rekomandojnë standardet evropiane. Kjo jo vetëm që rrit lodhjen profesionale të stafit ekzistues, por ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e kujdesit ndaj pacientit”, thuhet më tej në deklaratë.
Sipas tyre, specialistët e rinj kanë nevojë për përkrahje institucionale, mentorim profesional dhe mundësi për avancim shkencor dhe klinik, në mënyrë që të kontribuojnë plotësisht në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve me kancer.
Në fund, onkologët bëjnë thirrje për planifikim më të mirë institucional dhe hapje të vendeve të punës sipas nevojave reale klinike.
“Institucionet përgjegjëse duhet të analizojnë realisht nevojat kombëtare për onkologë, të hapin vende pune sipas kërkesës reale klinike dhe të krijojnë politika të qëndrueshme për integrimin dhe zhvillimin profesional të specialistëve të rinj”, kanë deklaruar ata. /Telegrafi/




















































