Oficerët e shkollave mes dhunës, presionit dhe vetëcensurës

Kur në vitin 2018 qeveria prezantoi figurën e oficerit të sigurisë në shkolla, ajo u shoqërua me pritshmëri të larta. U paraqit si një mekanizëm i ri për të parandaluar dhunën, konfliktet dhe sjelljet problematike tek nxënësit.
Por shtatë vite më vonë, auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ofron një panoramë krejt tjetër: një strukturë e ngritur me nxitim, e paqëndrueshme në bazë ligjore dhe e pambështetur institucionalisht, shkruan Faktoje.al.
Në raportin voluminoz të vitit 2025, KLSH e përkufizon qartë situatën: “Procesi i sigurisë në shkolla nuk ka funksionuar në nivelin e pritshmërive, për shkak të mungesës së një kuadri të konsoliduar rregullator, mbikëqyrjes së pamjaftueshme dhe mbledhjes jo të standardizuar të të dhënave” Ky është vlerësimi më i drejtpërdrejtë institucional i bërë ndonjëherë për këtë shërbim.
Megjithëse numri i oficerëve u rrit gjatë viteve dhe shërbimi u zgjerua në më shumë se 200 shkolla në të gjithë vendin, shtylla kryesore e funksionimit, udhëzuesi i punës, u miratua vetëm në vitin 2023. Për pesë vite me radhë, Oficerët e sigurisë kanë punuar me orientime të pjesshme dhe pa instrumente të qarta ligjore. Kjo ka krijuar një terren ku roli i tyre ushtron ndikim vetëm në varësi të vullnetit individual dhe marrëdhënieve me drejtuesit e shkollës.
Ekspertja e trajnimeve të oficerëve të sigurisë, Erinda Bllaca, këtë e quan “një boshllëk themelor në funksionimin e shërbimit”, duke thënë se oficerët “janë hedhur në terren pa autoritetin dhe mbështetjen e nevojshme”. Ajo shton se mungesa e standardeve operative ka bërë që shumë prej tyre të mos e dinë saktësisht kufirin e kompetencave të tyre, çka e dëmton si ndërhyrjen, ashtu edhe raportimin.
Raportimet
Një nga zbulimet më të rëndësishme të auditimit të KLSH lidhet me mënyrën se si ASCAP mbledh të dhënat për incidentet. Raporti është i qartë: “Linku elektronik i ASCAP-it nuk përbën bazë shtetërore të të dhënave, pasi nuk është krijuar me akt normativ dhe nuk ka detyrim ligjor për t’u përdorur” Kjo do të thotë se i gjithë sistemi kombëtar i raportimit është informal dhe i pambështetur juridikisht.
KLSH shkon edhe më tej, duke nënvizuar se të dhënat e mbledhura nuk mund të konsiderohen përfaqësuese: “Të dhënat e raportuara nuk përputhen me realitetin e sigurisë në shkolla dhe përmbajnë elementë vetëcensurimi”
Ky vetëcensurim, sipas auditorëve, nuk është rastësor. Në dokument thuhet shprehimisht se oficerët “kanë deklaruar presion nga drejtuesit e shkollave për të mos raportuar incidente, me qëllim ruajtjen e imazhit të institucionit”
Për këtë arsye, ASCAP hoqi nga sistemi fushën “Shkolla”, që identifikonte institucionin ku ndodhte incidenti, një veprim që sipas KLSH-së “degradon transparencën e procesit dhe pengon analizën e riskut në nivel institucional”.
Një oficere e sigurisë e intervistuar nga Faktoje.al për këtë artikull e përforcon këtë dinamikë: “Unë pajtohem 99% me raportin e KLSH-së. E di shumë mirë si funksionojnë punët. Siç thotë populli: edhe i vënë prift, edhe i rruajnë mjekrën. Ne kemi gjithë përgjegjësinë, por asnjë mbrojtje” Ajo tregon se ka raportuar një rast dhune të ushtruar nga një mësues ndaj një nxënësi dhe pas kësaj është vendosur nën presion nga drejtoria.
Kur Faktoje kontaktoi dy shkolla të mëdha të Tiranës për të intervistuar oficerët e sigurisë për këtë shkrim, të dy oficerët fillimisht pranuan, por më pas u tërhoqën duke thënë se “duhet leje nga drejtoria”, për të cilën më pas nuk dhanë asnjë përgjigje. Sipas mësuesve të shkollave përkatëse, kjo është një sjellje e zakonshme: “Kanë frikë për vendin e punës. Askush nuk flet”
Çfarë thonë nxënësit
Megjithëse ASCAP raporton rritje të numrit të incidenteve gjatë viteve, përfshirë 599 raste vetëm në vitin 2022-2023, KLSH thekson se këto statistika nuk janë të plota. Kjo del qartë edhe nga krahasimi me perceptimin e nxënësve.
Në sondazhin e realizuar nga KLSH me 227 nxënës në shkolla të ndryshme të vendit, rezulton se:
“15.8 për qind e nxënësve kanë parë armë të ftohta në shkollë të paktën një herë gjatë vitit, ndërsa rreth 25.9 për qind kanë konstatuar përdorim të drogave, alkoolit apo duhanit”
Këto përqindje janë shumë herë më të larta se rastet e raportuara nga oficerët, duke treguar se nënraportimi nuk është episodik, por sistemik.
Dhuna
Në raportin e KLSH, dhuna fizike në shkolla shihet si fenomeni më shqetësues. “Problematika më e shpeshtë e raportuar nga OS është dhuna fizike (892 raste) e ndjekur nga dhuna psikologjike/verbale (333 raste) dhe bullizmi (186 raste)”.
Raporti vëren vështirësi në menaxhimin e dhunës. “Menaxhimi i dhunës fizike është i kufizuar, pjesërisht për shkak të përgatitjes fizike dhe trajnimeve të pamjaftueshme që ofrohen në Akademinë e Sigurisë”, thuhet në raport.
Një rol pa pavarësi
Oficerët e sigurisë punojnë me një pagë që varion rreth 50-60 mijë lekë të reja, një shumë që nuk korrespondon me natyrën e detyrës dhe rëndësinë që mbart. Oficerja e intervistuar thotë: “Detyra mbetet në vullnetin tonë. Pagë minimale, pa asnjë bonus, dhe me shumë pritshmëri. Po çfarë autoriteti kemi ne? Asnjë”
Raporti i KLSH-së konstaton se oficerët e sigurisë shpesh punojnë pa kompjutera, pa printer dhe pa kushtet minimale të dokumentimit. Gjithashtu, “kontrollet fizike dhe kontrolli i mjediseve nuk realizohen”, megjithëse parashikohen në udhëzime.
Nga pesë shkolla të audituara, vetëm në një rast është kryer një kontroll fizik gjatë gjithë periudhës së auditimit.
Oficerja e sigurisë e intervistuar për këtë shkrim e përshkruan situatën me realitetin e saj të përditshëm: “As pajisjet nuk i kemi. Edhe kompjuterin, printerin apo mjete të tjera i kërkojmë tek drejtoria, dhe shpesh na thonë t’i ndajmë me shërbimet sociale të shkollës. Në raste të tjera na thonë se nuk ka fonde. Si të bëjmë raportime të sakta kur s’kemi as mjetet bazë të punës?”
Ajo shton se kjo situatë e bën detyrën edhe më të vështirë dhe rrit varësinë nga drejtoria, pikërisht në një rol që teorikisht duhet të ketë pavarësi funksionale.
Koordinimi
Raporti evidenton se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është i parregulluar dhe shpesh jofunksional. Sipas udhëzimeve, oficerët e sigurisë duhet të njoftojë specialistin e policimit në zonë (SPZ), i cili më pas njofton strukturat e policisë. Por në praktikë, “SPZ mbulon disa shkolla, shpesh nuk reagon dhe në disa raste dosjet e iniciuara pushohen për mungesë dokumentacioni”, thuhet në raport.
Oficerja e intervistuar e përshkruan këtë situatë: “Shpesh duhet të njoftojmë direkt policinë, se SPZ-ja është e pakapshme. Por pastaj policia na e kthen sërish neve përgjegjësinë. Nuk ka zinxhir funksional”
Erinda Bllaca e përmbledh situatën me një fjali të thjeshtë: “Oficerët janë në vijën e parë, por pa mbështetje. Ata shohin gjithçka që ndodh çdo ditë, por janë të fundit që dëgjohen. Dhe kur gjërat shkojnë keq, fajësohen ata”
Oficerja e intervistuar për këtë shkrim e konfirmon: “Kjo detyrë na jep gjithë fajet. Por as autoritet, as pavarësi, as mbështetje nuk kemi. Si mund të funksionojë kështu?”
Cilat janë zgjidhjet?
Në analizën e saj, Erinda Bllaca nënvizon se përmirësimi i situatës nuk mund të vijë nga masa të pjesshme, por kërkon një rikonceptim të të gjithë arkitekturës institucionale që rregullon funksionimin e oficerëve të sigurisë. Ajo propozon që roli i tyre të zhvendoset nga varësia e drejtorisë së shkollës drejt një strukture që garanton pavarësi, mbrojtje dhe autoritet profesional.
Sipas saj, një opsion i zbatueshëm është kalimi i kësaj figure nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Një alternativë tjetër që Bllaca e sheh po aq të vlefshme është ngritja e një drejtorie të dedikuar brenda Ministrisë së Arsimit, e cila do të merrej ekskluzivisht me menaxhimin, funksionimin dhe mbështetjen e oficerëve të sigurisë.
Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e ndërtimit të procedurave operative standarde, të cilat do të qartësonin detyrat, kompetencat dhe kufijtë e ndërhyrjes së OS-ve.











































