OBRM-PDUKM njofton se turizmi është një nga prioritetet strategjike të Qeverisë dhe se masat e ndërmarra, sipas partisë, tashmë po japin rezultate konkrete.

Nga partia theksojnë se po punohet në përmirësimin e infrastrukturës turistike, lidhjeve ajrore, rrugore dhe hekurudhore, si dhe në krijimin e kushteve më të mira për investime të reja dhe zhvillimin e turizmit rural.


Sipas OBRM-PDUKM-së, të dhënat më të fundit tregojnë rritje të ndjeshme të turizmit dhe trafikut ajror. Duke iu referuar një raporti të Bankës Botërore, partia thotë se numri i pasagjerëve në ardhje është rritur me 40 për qind në nivel vjetor.

Të dhënat zyrtare statistikore, sipas tyre, tregojnë se në pesë muajt e parë të vitit numri i turistëve të huaj është rritur me 23,6 për qind, ndërsa numri i net-qëndrimeve është rritur me 18,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga OBRM-PDUKM vlerësojnë se këto shifra tregojnë se Maqedonia po bëhet destinacion gjithnjë e më tërheqës turistik.
Partia thekson se, përveç turizmit veror, potencial gjithnjë e më të madh kanë edhe turizmi kulturor, historik, gastronomik dhe rural.
Sipas tyre, rritja e numrit të turistëve sjell më shumë punë dhe të ardhura për hotelierët, guidat turistike, zejtarët dhe bizneset e vogla e familjare, si dhe mundësi më të mëdha për zhvillimin e komuniteteve lokale.

Nga OBRM-PDUKM shtojnë se Qeveria po krijon kushte për investime të reja në kapacitetet turistike dhe po ofron mbështetje financiare për zhvillimin e turizmit rural.

“Me vizion të qartë dhe mbështetje të vazhdueshme, po e ndërtojmë Maqedoninë si destinacion modern, konkurrues dhe tërheqës turistik, me më shumë turistë, investime dhe vende të reja pune”, thuhet në komunikatën e partisë.