Drejtuesit e Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore dhe përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren kanë biseduar lidhur me identifikimin dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë që lidhen me luftën çlirimtare.

Sipas njoftimit, për këtë qëllim, drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, ka takuar përfaqësuesit e OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha dhe Malush Fanaj.


“Biseduam për rëndësinë e ruajtjes së objekteve që lidhen me luftën tonë çlirimtare, vende që mbajnë gjurmët e sakrificës, që flasin për qëndresën dhe përkushtimin për liri”, ka bërë të ditur drejtori Hoxha.

Ai ka theksuar se këto ndërtesa nuk janë thjesht objekte fizike, por dëshmi të gjalla të një periudhe të rëndësishme të historisë kombëtare. “Këto ndërtesa nuk janë thjesht mure, janë dëshmi të gjalla të historisë sonë, dhe si të tilla duhet të ruhen me kujdes e respekt”, ka thënë Hoxha, raporton Telegrafi.

Në përputhje me mandatin e institucionit që drejton dhe rregulloren për inventarizim, Hoxha ka ritheksuar angazhimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për të dokumentuar dhe mbrojtur këto vlera me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.

“Puna jonë për të dokumentuar dhe ruajtur këto vlera është një detyrë institucionale dhe patriotike”, ka deklaruar ai, duke shtuar se “ruajtja e trashëgimisë së UÇK-së është nder për ne dhe amanet për brezat që vijnë”.

Ndërkaq kryetari i OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, ka shprehur mbështetjen e plotë të shoqatës për këtë proces, raporton Telegrafi.

“Kjo është një nismë që na nderon dhe që e kemi pritur me shumë vullnet. Shoqata jonë do të jetë krah Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në çdo hap të këtij procesi, sepse ruajtja e vendeve që lidhen me luftën është ruajtje e vetë identitetit tonë”,  ka thënë Berisha. /Telegrafi/