LAJMI I FUNDIT:

OAK jep rekomandimet lidhur me Projektligjin e Punës

OAK jep rekomandimet lidhur me Projektligjin e Punës

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga institucionet të krijojnë një klimë të re dhe pozitive bizneseve në sektorin privat, pasi në këtë mënyrë do të shtoheshin mundësitë për vende të reja pune dhe rritjen ekonomike.

Qëndresa Ibrahimi, koordinatore në OAK, në një konferencë për media, tha se Ligji i Punës lë shumë hapësirë për përmirësime dhe ndryshime, të cilat duhet të inkorporohen me qëllim që ky ligj të jetë i zbatueshëm në praktikë dhe të mos mbetet vetëm në sirtar.


Ndërsa Vanesa Gashi zyrtare e OAK-së deklaroi se ky projektligj synon avancimin e të drejtës së punëtorëve dhe bizneseve dhe rregullimin e një varg çështjesh në fushën e marrëdhënies së punës, sipas standardeve ndërkombëtare dhe rrethanave socio-ekonomike të vendit.

“Ne si OAK kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për intervenim adekuat në ligj, duke propozuar seminare 3 ditore me palët e interesit, mirëpo kjo kërkesë nuk është marrë parasysh”, tha ajo.

Gashi theksoi që sipas Entit të Statistikave numri i papunësisë në Kosovë është në nivel të lartë dhe e vetmja shpresë për këtë vend është sektori privat, duke marrë parasysh që në sektorin publik vendet e punës janë të stërngarkuara, gjithashtu punonjësit e institucioneve publike janë shpenzues të buxhetit të shtetit, në ndërkohë që sektori privat përveç që siguron të ardhura, ata kontribuojnë edhe në rritjen e të hyrave në shtet nga tatimet dhe fitimet e bizneseve.

“Ne si OAK në bashkëpunim me institucionet qeveritare, duhet t’ju krijojmë një klimë të re dhe pozitive bizneseve në Kosovë, do të thotë lejimin e zhvillimit të veprimtarisë në sektorin privat, pasi që në këtë mënyrë edhe mundësitë janë më të mëdha për vende të reja të punës dhe rritje ekonomike të vendit, tha Gashi.

Duke folur rreth pushimit mjekësor, Gashi përkujtoi se ka pasur kërkesa nga asociacionet e ndryshme që ai të jetë pa limit, ku punonjësi në rast të sëmundjes ka të drejtë për pushim mjekësor të rregullt mbi bazën deri në 20 ditë të punës, me kompenzim 100% të pagës, andaj OAK mendon se duhet t’i përmbahen këtij ligji evident.

“Arsyeja është se biznesi e ka të pamundur të paguajë një punëtor më shumë se 20 ditë, sepse krijohet barrë për biznesin, prandaj ky obligim duhet të kaloj tek sigurimi shëndetësor dhe sigurimi i punës që janë në kompetencë të institucioneve të Kosovës për t’i krijuar këto kushte”, tha ajo.

Në këtë konferencë është folur edhe rreth kohëzgjatjes së paralajmërimit të largimit të punëtorit nga puna.

“Si ka mundësi nëse një punëtor detyrohet ta lë punën pa paralajmërim dhe mos të hasë në ndonjë ndëshkim, kur për punëdhënësin ndodh e kundërta, nëse ai detyrohet të largojë punëtorin nga puna pa paralajmërim, punëdhënësi mund të gjobitet deri në 40.000 euro”, tha Gashi.

OAK rekomandon që për kontrata me afat të caktuar, paralajmërimi i dorëheqjes apo largimit nga puna të jetë 30 ditë për të dyja palët, ndërsa për kontratat me afat të pacaktuar, paralajmërimi dorëheqjes apo largimit nga puna të jetë 90 ditë për të dyja palët.

Sipas OAK-së, në këtë mënyrë do të mbrohen punëtori dhe punëdhënësi, duke krijuar një siguri të plotë për të dy palët, pasi kjo është edhe praktikë evropiane. /Telegrafi/