LAJMI I FUNDIT:

Nxënësit e ‘BAU ACADEMY’ fillojnë praktikën nëpër kompani profesionale (Video)

Nxënësit e ‘BAU ACADEMY’ fillojnë praktikën nëpër kompani profesionale (Video)

Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale “BAU ACADEMY”, është vendi që ofron profile që lidhen me aktivitetin e fushës së ndërtimtarisë në drejtimet instalues elektrik, instalues i ngrohjes e klimatizimit dhe metalpunues.

E veçantë e “BAU ACADEMY” është se përveç mësimit, nxënësve të drejtimit “Metalpunues” po u ofron mundësinë që ta realizojnë praktikën mësimore nëpër kompani metalpunuese.

Drejtori menaxhues i “BAU ACADEMY”, Veton Pira, ka thënë për Telegrafin se qëllimi i angazhimit të nxënësve nëpër biznese është që ata ta përforcojnë dijen e tyre dhe të njihen edhe me tregun.

“Jemi duke i angazhuar nxënësit dhe nëpër aktivitete praktike. Qëllimi i angazhimit të nxënësve nëpër biznese është që ata ta përforcojnë dijen e tyre dhe të njihen edhe me tregun, me kërkesat e tregut me specifikat e tregut të punës, të njihen me punëdhënësit e tyre potencial. Këtë vit nxënësit e drejtimit ‘Metalpunues’ i kemi angazhuar nëpër biznese private, ku në kuadër të mundësive që i lejon kurikula për vijim e praktikës profesionale, ata bëjnë punë dhe aftësohen në mënyrë praktike”, ka thënë Pira.

Sipas tij, “BAU ACADEMY” është një shkollë profesionale që po i përgatit nxënësit për tregun e punës dhe i aftëson ata për profesionin e së ardhmes.

“Momentalisht ‘BAU ACADEMY’ i ofron tri profile të arsimit dhe aftësimit profesional, është instalues i ngrohjes e klimatizimit, instalues elektrik dhe metalpunues, ndërsa për vitin tjetër jemi të interesuar që të hapim edhe dy profile të reja. Qëllimi i ‘BAU ACADEMY’ është që t’i bëjë nxënësit të gatshëm për treg. Aftësimin e tyre e bazojmë kryesisht në ofrimin e kushteve të mira laboratorike me të gjitha pajisjet e duhura në mënyrë që nxënësit të aftësohen në mënyrën e duhur për profesionin adekuat”, tha Pira.

Drilon Cakaj, nxënës në “BAU ACADEMY”, tha për Telegrafin se përveç punës praktike që bënë në të njëjtën kohë paguhet.

“Një herë në javë si pjesë e praktikës mësimore punoj në firmën ‘Metal Mont’. Në këtë firmë edhe e kryej praktikën dhe në të njëjtën kohë paguhem, ashti edhe si shokët e mi të klasës”, ka theksuar Cakaj.

Po ashtu Qëndrim Mustafa, nxënës në “BAU ACADEMY”, tha për Telegrafin se krahas praktikës në shkollë, njëkohësisht po bënë praktikën në kompani metalpunuese.

“Praktikën që e bëjmë në shkollë na mundëson që të përgatitemi për tregun e punës. Krahas praktikës së shkollës, ne momentalisht jemi duke mbajtur punë praktike në kompani metalpunuese, në të cilat firma po na aftëson edhe më shumë për profesionin tonë. Unë po ndihem shumë mirë që në këtë moshë po punojë dhe po fitoj vet në profesionin tim”, shtoi Mustafa.