“Nuk kam parë më herët diçka të tillë”, Luis Enrique i befasuar me paraqitjen e yllit të PSG-së

Luis Enrique u shpreh i mahnitur nga paraqitja e jashtëzakonshme e Matvey Safonov në serinë e penalltive të finales së Kupës Interkontinentale, ku Paris Saint-Germain triumfoi ndaj Flamengos, duke pranuar se nuk kishte parë kurrë më parë një portier të priste katër penallti radhazi.
“Jo, është hera e parë që shoh një portier të presë katër penallti”, deklaroi trajneri i PSG-së në konferencën për shtyp pas ndeshjes, pasi heroizmat e portierit rus i siguruan ekipit fitoren 2-1 me penallti, pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt dhe shtesat.
Safonov ndali katër nga pesë goditjet e Flamengos, duke përmbysur gjithçka pavarësisht gabimeve nga pika e bardhë edhe nga ana e PSG-së, ndërsa Enrique u kujdes të theksonte rëndësinë e suksesit kolektiv.
“Jemi të lumtur që vazhdojmë të fitojmë trofe dhe e meritonim këtë fitore”, u shpreh ai.

Kur u pyet për konkurrencën në portë pas paraqitjes së shkëlqyer të Safonov, Enrique shmangu diskutimin.
“A mendoni vërtet se ky është momenti për të folur për këtë?. Tani është koha për të festuar këtë trofe, për të përgëzuar të gjithë, ata që luajtën dhe ata që nuk luajtën dhe për t’u gëzuar për tifozët tanë”.
“Ne duam të vazhdojmë të bëjmë histori. Por për momentin, thjesht duhet ta shijojmë këtë çast”, ka deklaruar Enrique./Telegrafi/














































