"Nuk është kurrë vonë për Kombëtare, ndaj Serbisë momenti më i mirë në karrierë" - rrëfimi i Gripshit pas tetë viteve pritje për të luajtur me Shqipërinë

Të shkëlqesh për vite të tëra dhe të mos ftohesh nga Kombëtarja nuk është aspak e lehtë për një futbollist, por Nazmi Gripshi nuk e humbi në asnjë moment shpresën, madje punoi vazhdimisht shumë që një ditë ëndrra e tij të bëhet realitet.
Mesfushori ofensivë ka pritur gjatë për ftesën nga Kombëtarja e Shqipërisë dhe debutimin e bëri në moshën 28-vjeçare.
Ishte viti 2017 kur Gripshi luajti për herë të fundit me Shqipërinë U21, derisa që tetë vite me radhë ka pritur ftesën e Kombëtares A, e cila erdhi vetëm në muajin tetor të vitit 2025.
Edhe pse ftesa u vonua pafundësisht, ajo më në fund erdhi dhe Gripshi nuk e kishte humbur asnjëherë shpresën se do të grumbullohet nga Shqipëria.

Në një intervistë për Telegrafin, mesfushori i Astanas në Kazakistan, thotë se për të është nder i madh që përfaqëson Shqipërinë.
“Nuk është asnjëherë vonë për të pritur ftesën e Kombëtares. Për mua, të përfaqësosh vendin është nder i madh dhe pavarësisht moshës, do të isha gjithmonë i gatshëm t’i përgjigjesha pozitivisht thirrjes. Edhe pse grumbullimi i parë erdhi në moshën 28-vjeçare, nuk humba kurrë shpresën dhe vazhdova të punoj me përkushtim. Jam krenar që më është dhënë kjo mundësi”, thotë fillimisht Gripshi.
Ish-anëtari i Teutës, Skënderbeut e Ballkanit kujton me emocion momentin kur mori lajmin për grumbullimin e parë me Kombëtaren, teksa ndodhej në Kazakistan.

“Kur erdhi ftesa sapo isha kthyer nga stërvitja me klubin tim në Astana dhe kur mora ftesën ishte një ndër momentet e mia më të lumtura dhe emocionuese në jetë”, kujton Gripshi me emocione.
Në ndeshjen ndaj Serbisë, edhe pse nuk u aktivizua, ai u bë pjesë e një momenti të paharrueshëm, kur festoi me pasion golin e Rey Manajt.

Ai thotë se nuk ka rëndësi që nuk luajti, e rëndësishme ishte fitorja e Kombëtares në Serbi me rezultat 0-1.
“Nuk ka rëndësi nëse luajta apo jo, ajo që ka më shumë vlerë është që fitoi Kombëtarja. Ky është gëzimi im më i madh si futbollist dhe si shqiptar. Fitoren ndaj Serbisë e përjetuam me shumë emocion, sepse ishte një nga ato ndeshje që mbartin peshë të veçantë, jo vetëm për rëndësinë historike për ne shqiptarët, por edhe për ndikimin që kishte në rrugën tonë drejt Botërorit. Të jesh pjesë e një momenti të tillë, qoftë edhe nga stoli, është një ndjenjë që nuk harrohet".
Gripshi ndalet edhe te emocionet e përjetuara për shkak të lidhjeve me Kosovën, ku ka luajtur për shumë vite dhe tanimë është edhe dhëndër i Kosovës.
“Është e vërtetë që kam luajtur për shumë vite në Kosovë, madje edhe bashkëshortja ime është nga aty, ndaj e njoh mirë historinë dhe gjithë çfarë ka kaluar populli i Kosovës. Por besoj se të gjithë lojtarët, pavarësisht se nga cili qytet apo trevë vijnë, e përjetuan njësoj atë fitore ndaj Serbisë. Sepse në fund të ditës, ne jemi një komb, një zemër, dhe ajo ndeshje kishte një domethënie të veçantë për të gjithë ne", shprehet 28-vjeçari.

Debutimi i shumëpritur i Gripshit erdhi ndaj Jordanisë, ku ai shkëlqeu duke asistuar në fitoren e Kombëtares 4-2.
“Pa dyshim që ishte një ndër ditët më të lumtura të karrierës sime. Të vesh fanellën e Kombëtares dhe të përfaqësosh vendin tënd është një emocion i veçantë, por ta nisësh me një paraqitje pozitive dhe të kontribuosh në fitore me një asistim e bën gjithçka edhe më kuptimplotë. Është një moment që do ta mbaj mend gjithmonë me krenari", tregon Gripshi me emocione.
Në fund, ai flet për ndeshjet e ardhshme dhe ambiciet e mëdha të kombëtares kuqezi, ku qëllimi mbetet kualifikimi në Kampionatin Botëror të vitit 2026.

“Nga ndeshjet e ardhshme pres që të vazhdojmë me rezultatet pozitive. Jemi shumë të motivuar, atmosfera brenda skuadrës është shumë e mirë dhe kemi një komunikim të shkëlqyer me trajnerin dhe stafin teknik".
"Të gjithë e dimë që përballja me një Kombëtare si Anglia do të jetë e vështirë, pasi janë ndër më të mirët në botë, por karakteri i lojtarëve tanë është i fortë dhe ne nuk dorëzohemi kurrë, pa marrë parasysh kundërshtarin. Me cilësinë që kemi në ekip, me punën e palodhur të trajnerit dhe stafit, besoj fuqishëm që një kualifikim në Botëror nuk do të ishte aspak surprizë, do të ishte një sukses i merituar".
"Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, me përkushtim dhe besim, për ta realizuar ëndrrën tonë dhe të gjithë shqiptarëve: pjesëmarrjen në Kupën e Botës”, përfundoi Gripshi.
Në 27 ndeshje me Astanën këtë sezon, Gripshi ka shënuar 15 gola dhe ka asistuar në 6 të tjera duke u konfirmuar si futbollisti më në formë në elitën e futbollit kazak. /Telegrafi/















































