"Nuk është kjo mënyra se si duhet t'i drejtoheni aleatëve të ngushtë", Danimarka i përgjigjet kritikave amerikane për Grenlandën

Ministri i Jashtëm i Danimarkës i është përgjigjur kritikave të udhëheqjes amerikane për menaxhimin e Grenlandës, duke thënë se nuk flasin kështu "aleatët e ngushtë" dhe se SHBA mund të forcojë sigurinë e saj pa marrë nën kontroll territorin.
“Ne jemi të hapur ndaj kritikave, por për të qenë i sinqertë, ne nuk e vlerësojmë tonin me të cilin paraqitet”, tha ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen në një video në gjuhën angleze të postuar në X.
"Kjo nuk është mënyra se si ju i drejtoheni aleatëve të ngushtë, dhe unë ende i konsideroj Danimarkën dhe SHBA-në si aleatë të ngushtë", shtoi ai.
Bëhet e ditur se përgjigja e danezëve vjen pas një jave tensionesh të shtuara midis dy vendeve lidhur me njoftimin e një vizite të udhëheqjes amerikane në territorin autonom danez të Grenlandës, një udhëtim që përfundoi kufizuar në bazën ushtarake amerikane Pituffik të premten, përcjell Telegrafi.
Zëvendëspresidenti i SHBA-s, JD Vance tha në fjalimin e tij atje se Danimarka nuk kishte "bërë një punë të mirë për popullin e Grenlandës", duke kritikuar veçanërisht Kopenhagën për gjoja se nuk ka investuar mjaftueshëm në ishullin e madh që Donald Trump dëshiron ta marrë.
"Traktati i mbrojtjes i vitit 1951 i jep SHBA-së opsione të shumta për një prani më të fortë ushtarake në Grenlandë. Nëse kjo është ajo që dëshironi, le të flasim për të", tha Rasmussen.
“Në vitin 1945, SHBA kishte 17 baza dhe pozicione ushtarake në Grenlandë, me mijëra trupa”, shtoi ai.
“Ne mund të bëjmë më shumë, shumë më tepër brenda kornizës aktuale.”
Raportohet se baza Pituffik i shërben SHBA-së si bazë e mbrojtjes ajrore sepse rruga më e shkurtër për raketat ruse kalon pikërisht mbi Grenlandë.
Ndryshe, kritikave “të padrejta” të amerikanëve iu përgjigj edhe kryeministri danez, Mette Frederiksen, duke kujtuar se Danimarka ka qenë gjithmonë në anën amerikane në “situata të vështira” dhe duke iu referuar në radhë të parë anëtarësimit në koalicionet ushtarake në Irak dhe Afganistan. /Telegrafi/





















































