Nottingham Foresti kryen analizat e lojtarëve rreth coronavirusit - Aro Muric rezulton negativ

Nottingham Foresti ka lëshuar një njoftim për media, pas infektimit të pronarit të tyre Evangelos Marinakis me coronavirus.
Klubi anglez ka konfirmuar se ata kanë kompletuar testet e skuadrës së parë kundër virusit vdekjeprurës, pas rastit të parë të paraqitur tek ta.
Nottinghami ka bërë të ditur se nga analizat e bëra tek lojtarët e tyre, rezultatet kanë dalë negativ derisa pronari i tyre ka rezultuar pozitiv.
“Nottingham Foresti mund të konfirmojë se të gjithë lojtarët, stafi dhe zyrtarët e tjerë janë testuar për coronavirus dhe rezultatet kanë dalë negative”, thuhet në njoftimin e tyre.
Portieri i Kosovës, Aro Muric që është në huazim te Foresti nga Manchester City, po ashtu ka rezultuar negativ.
Gardiani i ‘Dardanëve’ do të jetë aktiv me Përfaqësuesen tonë më 26 mars në play-offin e Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut, mirëpo është opsioni që ndeshja të shtyhet shkaku i coronavirusit.
Tashmë është zyrtare se takimi do të zhvillohet pa tifozë, andaj mbetet të shihet nëse do të suspendohet përballja që zhvillohet në fund të këtij muaji. /Telegrafi/






















































