Jorgji Kote
Belgjika është mbërthyer nga ethet e fushatës për zgjedhjet komunale/bashkiake të datës 14 tetor. Ndonëse lokale, ato kanë rëndësi politike dhe jetësore shumë më të madhe se çdo vend tjetër, sepse Belgjika është shtet i veçantë federal, ku ndryshe nga Gjermania, Austria dhe Zvicra, bashkitë dhe komunat kanë marrë vitet e fundit mbi 95 për qind të kompetencave nga kopshtet dhe çerdhet, deri te politika e jashtme dhe siguria sociale.
Gjithashtu, komunat/bashkitë në Belgjikë përbëjnë themelin e lidershipit politik dhe në nivel federal. Aty lejohet të konkurrojnë edhe zyrtarët me të lartë federalë, nga kryeministri, deputetët dhe ministrat, të cilët mund të jenë e janë edhe kryetarë/këshilltarë komunash e bashkish.
Mbi të gjitha, 14 tetori është një “nxehje politike” për zgjedhjet e trefishta rajonale, federale dhe evropiane të majit 2019; këto të fundit, si për të gjithë BE-në, edhe për Belgjikën do të jenë “prova e zjarrit” për mbijetesën dhe suksesin e projektit madhor evropian kundër ofensivës së forcave populiste dhe ekstremiste.
Për vetë emrin dhe rëndësinë e tij politike/lobiste, beteja kryesore zgjedhore më 14 tetor do të zhvillohet për Këshillin e Bashkisë së qytetit të Brukselit dhe 19 komunat e tij.
Në këtë betejë të ashpër zgjedhore konkurrojnë edhe 20 bashkatdhetarë, shifër rekord, ku mbizotëron me 70 për qind mosha e re deri në 30 vjeç, si dhe gratë e vajzat. Kjo e nxitur edhe nga pjesëmarrja për herë të parë në këto zgjedhje të 700.000 votuesve të rinj baras me 8 për qind të numrit të tyre të përgjithshëm.
Për Këshillin e Bashkisë së qytetit të Brukselit konkurron 24-vjeçarja Denisa Nela, e cila po specializohet në fushën e fiskalitetit, pasi ka përfunduar shkëlqyeshëm studimet e larta për kontabilitet në Bruksel. Ka mbi dy vjet që punon si zyrtare finance në Sekretariatin e Përgjithshëm të Forumit Evropian të Sigurisë Rrugore (FEHRL) që ka bashkëpunim me agjenci analoge në Evropë, SHBA dhe me shërbimet e BE-së. Denisa ka mbi pesë vjet që i ka hyrë politikës aktive dhe në zgjedhjet lokale më 14 tetor 2018 është e 8-ta nga 25 kandidatë të Listës së DEFI, partia e demokratëve të pavarur frankofonë. Ajo konkurron me logon “Eksperiencë dhe entuziazëm” duke ofruar alternativa konkrete për modernizimin e transportit në kryeqytetin e Evropës së Bashkuar.
Bashkë me familjen, Denisa ndihet krenare dhe me trashëgiminë e xhaxhait të saj, poetit dhe mësuesit emblematik, Havzi Nela duke përcjellë kudo “Frymën e Helsinkit” të atij demokrati të paepur.
Konkurrentja tjetër 26-vjeçare, Qendresa Gerlica, përfaqëson PS-në. Ajo ka ardhur nga Prishtina në Bruksel 23 vite më parë, pasi familja e saj patriote ndiqej nga regjimi i Millosheviçit. Qysh në shkollë dhe më tej shquhej për angazhimin, aktivitetet, ndihmën për shokët dhe shkrime të ndryshme. Ka qenë zgjedhur zv.presidente e Këshillit Rinor Belg, në Parlamentin Rinor, në forumet e Universitetit të Lirë të Brukselit dhe në kryesinë e shoqatës aktive studentore “Vlera”.
Qëndresa ka dhënë edhe ndihmesën e saj konkrete në organizimin e stendave, festivaleve, promovimeve kulturore etj. Krahas përfundimit të studimeve për master në shkencat politike, ajo punon në një kompani ndërkombëtare kozmetike në Bruksel.
Listën e kandidatëve për komuna fillon me zotin Ahmet Gjanaj, jo vetëm se renditet i katërti në listën e PS-së frankofone në komunën e njohur Molenbeek për të tretën herë radhazi, por edhe për mundësitë më të mëdha për fitore. Me të drejtë flitet dhe shkruhet shumë për të, si përfaqësues i brezave të parë që pas vitit 1956 emigruan nga Kukësi në Belgjikë.
Të gjitha kandidaturat shqiptare dhe ato që tani janë kundërshtarë politikë, në prononcimet e tyre publike vlerësojnë dashamirësinë, vëmendjen dhe mbështetjen e Ahmetit për vite deri në kandidimin e tyre. Ata dhe qindra të rinj e të reja të tjerë kanë qenë pjesë e Shoqatës Kulturore “ALBABEL” dhe te shkolla plotësuese në gjuhën shqipe, “Vatra”, të krijuara dy dekada më parë me nismën dhe ndihmesën e Ahmetit.
Edhe pas zgjedhjes si deputeti i parë dhe i vetëm shqiptar në Parlamentin e Brukselit në vitin 2014, Ahmeti ka vazhduar mbështetjen e tij në shumë fusha.
Gara më e fortë në komuna do të jetë në Koekelberg me përqendrim të madh shqiptarësh ndërmjet katër bashkatdhetarëve me vlera të spikatura.
Ndërkohë, dy të reja me cilësi shumë të ngjashme Alketa Selimaj dhe Ornela Prifti konkurrojnë me shanse për fitore nën siglën e PS-së dhe CDH-së, parti e qendrës së djathtë. Të dyja kanë ardhur në Bruksel të vogla në moshë dhe kanë studiuar për drejtësi dhe politikë evropiane. Falë përkushtimit politik, të dyja kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e lidershipit të partive përkatëse. Alketa Selimaj është sekretare e jashtme e rinisë së CDH-së. Në vitin 2013 filloi punë si këshilltare politike e Presidentit të Parlamentit frankofon të Brukselit, ndërsa disa muaj më parë ka kaluar në kabinetin e ish-zv.kryeministres dhe ministres së Brendshme Federale, Joelle Milquet, dashamirëse e shqiptarëve.
Kurse Ornela Prifti kohët e fundit është emëruar këshilltare juridike e grupit socialist në Parlamentin e Brukselit dhe përfaqësuese e tij në forume të ndryshme.
Kurse i mirënjohuri Fatmir Limani kërkon të konfirmohet për të dytën herë për PS-në frankofone.
Kandidatja tjetër e pavarur, Alisa Aliu është e katërta në listën e kryebashkiakut. Është profesoreshë e njohur e pianos, aktiviste e kudondodhur, nga më të shquarat dhe nënë shembullore. Alisa është ndër shembujt më të spikatur pozitivë, që e shohim edhe në koncerte cilësore me artistë të tjerë shqiptarë.
Në këto koncerte atë e shoqëron me zërin dhe interpretime të bukura të këngëve tona popullore dhe të lehta, e reja shkodrane Megi Bala, e cila konkurron e katërta në Komunën fqinjë të Berchem për PS flamande. Ka vite që punon si eksperte marketingu në një kompani publike banesash. Gjithashtu, Megi është anëtare e Komitetit të Barazisë Gjinore dhe ka mbi një vit që është bërë dhe nënë.
E reja Vaile Shkodra nga Gjilani i Kosovës është kandidate në Komunën Anderleht. Vailja është valltarja virtuoze dhe drejtuese artistike e ansamblit të mirënjohur “Vatra”. Prania dhe performanca e “Vatrës”, ku kanë bërë “stazhin” e muzikës sonë tradicionale me qindra bashkatdhetarë është “qershiza mbi tortë” në çdo veprimtari dhe festë të shqiptarëve kudo në Belgjikë. Por Vailja është shquar qysh kur erdhi në Bruksel dhe për ndihmën bujare që ka dhënë për arsimimin dhe edukimin e grave dhe vajzave shqiptare që kanë kërkuar azil në Belgjikë.
Në Komunën Schaerbeek, “kryeqyteti” i emigrantëve të parë shqiptarë, PS-ja ka caktuar si kandidat, doktorin e shkencave politike, profesorin e nderuar të Universitetit Katolik të Leuvenit, Elhami Shaqirin nga Tetova. Krahas veprimtarisë akademike, Elhamin e sheh kudo duke ndihmuar dhe inkurajuar studentët dhe bashkatdhetarë të tjerë dhe në promovime kulturore. Do ta ketë vështirë në atë komunë, ku ligjin e bën “DEFI”, por përfaqësimi me një personalitet të tillë të nderuar për të cilin mund të flitet shumë, i bën nder komunitetit tonë.
Kandidatja më e re në këto zgjedhje është Klaudia Hajdari, e cila sapo mbushi 18 vjeç dhe vjen nga një familje me tradita atdhetare. Klaudia ka shkëlqyer në mësime dhe shquhet për thjeshtësi dhe modesti. Ka dy vjet që është zgjedhur ambasadore e Forumit të Veprimit dhe Ndryshimit Rinor (YOUCA). Ajo garon në Vilvorde për PS-në flamande.
Ndonëse të lartpërmendurit janë më të njohurit, vlerësime të tilla bëhen edhe për kandidatët e tjerë Alida Shpati, Avni Gjanaj, Florian Kola, Muhamet Begaj, Behar Sinani, Luiza Duraki, Habibe Duraki dhe Marsela Damzi, të cilët gëzojnë respekt të veçantë te të huajt dhe bashkatdhetarët.
Me gjithë këto cilësi të lakmuara, vetëkuptohet se jo të gjithë do të jenë fitues në këtë garë të madhe me 1000 kandidatë vetëm për Brukselin. Gjithsesi, përzgjedhja e tyre pas procedurave të gjata mes mijëra të tjerëve dhe hyrja në garë për shumicën në dhjetëshen e parë të listave përbën sukses më vete dhe premtim të madh për të ardhmen e tyre politike.
Vlen të theksohet se ata po shquhen për integritet, moderacion dhe kulturë të lartë politike/komunikimi edhe në qëndrimin ndaj bashkatdhetarëve të tyre kundërshtarë. “Lufta” politike nuk po cenon respektin e ndërsjellë, sepse ajo po përqendrohet kudo, në takimet zgjedhore dhe në media në prezantimin bindës të alternativave të tyre dhe forcave politike që përfaqësojnë.
Së fundi, ky ekip elitar bashkatdhetarësh me stafet e tyre po ushtron një ndikim të madh dhe për pasqyrimin e imazhit/vlerave të popullit tonë. Kushdo që vjen apo banon në Bruksel, i sheh me kënaqësi fotot e tyre të dukshme me logot dhe premtimet përkatëse, dëgjon mbresat e të pranishmëve që dalin nga takimet zgjedhore dhe që i ndjekin ata në studiot televizive në Bruksel dhe në Tiranë. Ata japin kësisoj një ndihmë të madhe dhe për diplomacinë tonë, sidomos atë publike, të kulturës dhe qytetare. Fat i madh për ambasadën sonë në Bruksel, e cila do thënë se mbetet shtëpi e dytë, ku këta kandidatë dhe kushdo tjetër kanë gjetur mbështetjen e nevojshme.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër
Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli
Kurti për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut: Pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese
U zgjodh gruaja më e bukur në botë, për një detaj hyri në histori
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Faktet më të çuditshme që mund të mos i dini për Elon Musk
Pas vendimit të Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në Rusi, reagon Zelensky
“Më mirë të më shajnë nënën, sesa të këndojnë “Serbi, Serbi”” - Llullaku shpjegon për mediat rumune se pse lojtarët e Kosovës vendosën të largohen
“Do thyejmë të gjitha rekordet”, Ronaldo thotë se mysafiri i tij i radhës në YouTube është më i famshëm se ai
“E dimë si ke shkuar në finale” - përplasje në mes të Edona James dhe Santianës live gjatë emisionit