"Njeri i jashtëzakonshëm, për si lojtar nuk flas" - Braithwaite tregon se si ishte Messi në zhveshtore

Martin Braithwaite, ish-sulmuesi i Barcelonës, ka folur së fundmi për largimin e papritur të Lionel Messit nga “Camp Nou” në verën e vitit 2021, një moment që tronditi jo vetëm botën e futbollit, por edhe dhomën e zhveshjes së katalanasve.
Danezi kishte fatin të luante me Messin te Barcelona, kur ai kali nga Espanyol, në mesin e sezonit.
“Ishte e çuditshme sepse ndodhi papritur. Të gjithë prisnim që ai të rinovonte kontratën, gjithçka ishte gati, dhe papritmas ai u largua nga klubi,” kujtoi Braithwaite, duke përshkruar surprizën e madhe që përjetuan bashkëlojtarët e tij.

Danezi, i cili ndau fushën me Messin vetëm për një sezon, shprehu admirim të thellë për kapitenin legjendar të Barçës.
“Leo është një person shumë i dashur, na ndihmonte të gjithëve dhe ndiheshe rehat pranë tij. Ishte shumë i qetë si njeri. Sa i përket lojtarit, nuk kam nevojë të them asgjë – të gjithë e dinë kush është”, deklaroi danezi.
Braithwaite theksoi gjithashtu se Messi meriton një lamtumirë të denjë në stadiumin ku bëri histori.

“Ai nuk e meritonte të largohej në atë mënyrë. Shpresoj që një ditë të ketë mundësinë të luajë ndeshjen e tij të fundit në Camp Nou, sepse vërtet e meriton”, ka thënë Braithwaite. /Telegrafi/













































