“Njerëz dhe Fate 2” – që theu rekord në Shqipëri arrin në Kosovë - Cineplexx

Filmi shqiptar “Njerëz dhe Fate 2” që theu rekord shikueshmërie në Shqipëri fillon të shfaqet në ekranin e madh të Cineplexx Prishtinë dhe Cineplexx Prizren nga sot më 21 Nëntor.Telenovela e parë shqiptare “Njerëz dhe Fate” e mbajti ‘të mbërthyer’ publikun, jo vetëm se ishte risi, por edhe për shkak të historisë që ajo kishte, duke pasqyruar realitetin shqiptar të asaj kohe.Historia tragjike e një familjeje shqiptare që përballej me vështirësitë e asaj kohe, si dhuna në familje, trafikimi apo droga, tërhoqi vëmendjen e shqiptarëve që hasnin të njëjtat probleme të asaj kohe. Pas më shumë se dy dekadash, “simboli” i viteve 2000-2003 rikthehet në kinematografi, këtë herë si film dhe jo si serial. Të gjithë jemi kuriozë të dijmë se si do të vazhdojë rrjedha e historisë së lënë përgjysmë 20 vite më parë.
Subjekti i filmit tregon ekstradimin e Florian Gurit (Arben Derhemi) në Tiranë. Ai rikthehet në qytet për të bërë lëmsh jetët e familjarëve të tij dhe për të vënë në vend drejtësinë. E motra, Era (Eni Jani), tanimë është e martuar me Tonin (Gentian Zenelaj) dhe kanë sjellë në jetë një bebushe. Gjithashtu, janë prindër të një djali adoleshent. Ndërsa janë duke festuar ardhjen në jetë të vajzës, daja i Erës dhe Florit, i cili njëjtë si në serial luhet nga Alfred Trebicka, u jep lajmin e rikthimit të Florit.





















































