Një vit burg për babanë nga Ferizaj që nuk pagoi mjetet për jetesë të fëmijëve

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.V., i cili u gjet fajtor për veprën penale “shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetesë” sipas nenit 245 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shqyrtimi gjyqësor është mbajtur nga gjyqtari Shabi Idrizi, i cili pas administrimit të provave personale dhe materiale, ka konstatuar se i pandehuri për periudhën nga 3 tetori 2024 e deri më tani, është shmangur nga përmbushja e obligimit ligjor për sigurimin e mjeteve të jetesës për dy fëmijët e tij të mitur.
"Sipas aktgjykimit, F.V. është dënuar me një vit burgim, dënim i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi", thuhet në vendimin e gjykatës.
Në këtë rast, gjykata ka theksuar se i pandehuri nuk ka respektuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt të datës 22 qershor 2023, me të cilin ishte obliguar të paguante 700 euro në muaj për mirëmbajtjen e fëmijëve të tij.
“I pandehuri i është shmangur detyrimeve duke mos paguar shumën e përcaktuar të alimentacionit për fëmijët e përbashkët”, përcaktohet në aktgjykim.
Gjykata rikujtoi se ky obligim duhet të përmbushet përmes ish-bashkëshortes së të pandehurit, A.G.V., e cila si kujdestare e fëmijëve është përfituesja ligjore e pagesave.
Në fund, gjykata njofton se palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit me shkrim. “Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj”, sqarohet më tej në njoftimin zyrtar. /Telegrafi/
















































