Një muaj paraburgim ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it për pranimin e ryshfetit në sektorin privat

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.B. dhe E.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale pranimi i ryshfetit në sektorin privat.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kërkuar shumën prej 400.00 euro të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njehsori elektrik do t'i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njehsorit elektrik.
Kjo shumë e të hollave do të ndahej ndërmjet katër personave, me ç’rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i’u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/





















































