LAJMI I FUNDIT:

Një kujtim për Sokolin

Një kujtim për Sokolin

Emri i Sokol Olldashit do të mbahet mend gjatë si njëri ndër emrat më sublim të një politikani të lartë i cili vetëm pak ditë më parë do të bënte thirrje për protesta kundër sjelljes dhe çmontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri dhe papritur do të vdiste pak ditë më vonë, si njëri ndër zërat më të shquar të klasës së re politike dhe dashamir i madh i vendit dhe popullit të tij.

Me këtë rast, familja dhe vendi humbën një intelektual të çmuar, ish ministër të suksesshëm, deputet të zotin dhe politikan të shquar shqiptar, kritik të drejt dhe orator të madh partiak e publik.


Mjerisht, fati e deshi, që pikërisht këtë njeri të veçantë vdekja ta merrte në këtë mënyrë, për të cilin thëniet e mëdha dhe fjalët e zgjedhura para këtij akti janë të pakta e të pafuqishme për të shpreh gjithë respektin e merituar ndaj tij.

Ai ishte dhe mbeti ndër miqtë më të adhuruar të kombit dhe njeri i afërt me këdo, të cilin fatkeqësia nuk e lejoi as të na thoshte një lamtumirë, megjithëse e donim dhe nderonim të gjithë pa dallim.

Për këtë arsye, secili nga ne sot e ka shumë të vështirë të pajtohet me faktin e shuarjes së parakohshme të Sokol Olldashit, nga humbja e të cilit ndjehemi kaq të pazotë të gjejmë fjalët e duhura, në mënyrë që të zvogëlojmë sadopak dhembjen e madhe për shqiptarët kudo.

Ai, si përfaqësuesi më rrezatues i një brezi të ri në politikë, me gjithë jetën e shkurtër që kaloi shpejt dhe si në ëndërr, u largua nga kjo botë me më shumë arritje se kushdo tjetër që mundi të dëshmonte për aq kohë në vendin e tij.

Personalitete si Sokoli të cilët edhe pse i takojnë një grupimi politik, arrijnë të gëzojnë simpati të gjerë në të gjitha taborët, duhet trajtuar me kujdes të veçantë dhe kthyer në shembull fisnik edhe për politikanët e gjallë shqiptar, që mbeten të hasmuar skajshmërisht.

Megjithë jetën e vështirë, kaluar me të ëmën kampeve të internimit, vuajtjet atë sikur e pjekën para kohe, ndaj Sokoli arriti ta sprovonte veten edhe në detyrat më të rënda, ani pse ishte në moshë të re. Elanin plot entuziazëm dhe frymëzim mundën ta ndërprisnin aq pamëshirshëm vetëm vdekja dhe çastet e hidhura aksidentale, të cilat shuan jetën e tij kaq shpejt dhe papritur.

Ndaj, për fund, megjithëse asgjë nuk mund ta zëvendësojë mungesën e një personaliteti të nderuar si ai, familjarët, intelektualët, politikanët dhe shteti, duhet të ndjehen gjithmonë krenarë për këtë deputet dhe ish ministër të suksesshëm të vendit i cili me punën dhe përpjekjet vetëmohuese të tij, realizoi projekte të mëdha dhe siguroi arritje e përparim të çmuar për shqiptarët dhe Shqipërinë.