Alternativa ka zyrtarizuar Merkur Beqirin për kryetar të Prishtinës.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka shkruar se Merkur Beqiri është inxhinier me një karrierë të gjatë,


"Sot prezantuam kandidatin e dytë të Alternativa për kryetar komune. Kandidati ynë për të drejtuar kryeqytetin, Prishtinën, është Merkur Beqiri. Merkur Beqiri është inxhinier me një karrierë të gjatë, që përfshin digjitalizimin, inteligjencën artificiale dhe arsimin. Ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë punën e tij në arsim gjatë viteve ’90, nisma pioniere në digjitalizimin e gjuhës shqipe dhe edukimin teknologjik. Kontributi i tij gjatë krizave humanitare, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19, është vlerësuar nga komuniteti profesional dhe ndërkombëtar, duke ndihmuar në menaxhimin më të mirë të resurseve dhe shpëtimin e jetëve", ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo tutje tha se Merkur Beqiri sjell me vete mbi tri dekada përvojë profesionale në më shumë se 15 shtete të botës, duke bashkëpunuar me agjenci të njohura të Kombeve të Bashkuara si UNHCR, WHO, FAO dhe Banka Botërore.

"Përvoja e tij në menaxhimin e emergjencave, hartimin e politikave zhvillimore dhe udhëheqjen e operacioneve të ndërlikuara është një vlerë e veçantë për platformën tonë politike, për Kosovën si shtet dhe për Prishtinën si kryeqytet. Prezantojmë Merkurin të mërkurën, më 6 gusht, sepse 6 plus 6 bëjnë 12, dhe më 12 tetor votojmë Merkur Beqirin për kryetar të Kryeqytetit"

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor./Telegrafi/