Një ish-yll i madh po tenton ta shpëtojë karrierën e tij edhe pse në moshën 29-vjeçare - atij po i ofrojnë pagë prej 2 milionë eurosh?

Dele Alli (29), ish-reprezentuesi i Anglisë, është pa klub që nga shtatori i vitit 2025, kur i skadoi kontrata me skuadrën italiane të Serie A, Como.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle dhe Goal.com, mesfushori ofensiv ka në tavolinë katër oferta nga La Liga, teksa synon të ringjallë karrierën e tij në elitën e futbollit spanjoll.
Ish-lojtari i Tottenhamit dhe Evertonit ka punuar intensivisht në përgatitjen fizike gjatë muajve të fundit dhe është i hapur për një transferim në Spanjë, ku klubet shohin tek ai një mundësi për përvojë dhe cilësi në fazën ofensive.
Një periudhë e vështirë për ish-yllin anglez
Edhe pse në moshë optimale për një futbollist, Alli po kalon një nga periudhat më të vështira të karrierës. Që nga shkurti i vitit 2023, ai ka regjistruar vetëm një paraqitje si zëvendësues, pas huazimit të tij te Besiktas.
Rikthimi te Evertoni nuk rezultoi i suksesshëm për shkak të problemeve të vazhdueshme me lëndimet, ndërsa kontrata e tij me klubin anglez përfundoi në vitin 2024. Më pas pasoi një transferim surprizë te Como, por aventura në Itali zgjati pak: paraqitja e tij e vetme u shoqërua me karton të kuq dhe kontrata u ndërpre disa muaj më vonë.

Katër klube të La Ligës në garë për Allin
Sipas mediave spanjolle, Alli po stërvitet individualisht dhe ka tërhequr interesin e Real Oviedo, Sevilla, Elche dhe Getafe.
Real Oviedo, që ndodhet në fund të tabelës, ishte klubi i parë që e kontaktoi. Ata i ofrojnë një kontratë deri në fund të sezonit, me opsion zgjatjeje.
Sevilla, pavarësisht situatës së ndërlikuar financiare, po shqyrton një marrëveshje afatshkurtër, e varur nga paraqitjet e lojtarit.
Elche në pole position
Klubi që shihet si favoriti kryesor për nënshkrimin e Allit është Elche, e cila po lufton për një vend në garat evropiane. Oferta e tyre është edhe më e favorshmja financiarisht: kontratë dyvjeçare dhe një pagë totale rreth 2 milionë euro.
Edhe Getafe po e monitoron situatën, duke konsideruar një kontratë për një sezon e gjysmë, me besimin se Alli mund të bëjë diferencën nëse ruan vazhdimësinë fizike.

Vendimi për të ardhmen e Dele Allit pritet të merret brenda javëve të ardhshme. Të gjitha ofertat nga Spanja kanë një qëllim të përbashkët: t’i japin lojtarit një shans real për të dëshmuar se ende mund të luajë në nivelin më të lartë.
Edhe pse përmendet një rikthim i mundshëm në Mbretërinë e Bashkuar, me klube si Wrexham apo Swansea, në La Liga, Alli do të kishte mundësinë të aktivizohej menjëherë në ekipin e parë. /Telegrafi/























































