Një Forum i “Davosit” në Kosovë - platformë diskutimi për ekonominë e vendit

Lulzim Syla
Çdo vit, Forumi Ekonomik Botëror në Davos - apo siç njihet shkurtimisht, WEF - mbledh liderë politikë, biznesorë dhe institucionalë për të diskutuar për kahun e botës dhe për t’i paraprirë zhvillimeve që po vijnë. Forumi Ekonomik Botëror, Davos 2026, fillon këtë javë dhe zhvillohet në një moment kur bota është më e fragmentuar se kurrë. Motoja e këtij viti është A Spirit of Dialogue [Fryma e dialogut], ku në qendër të diskutimeve është bashkëpunimi global. Tema e dytë është rritja ekonomike në një realitet të ri nga burime të reja. Inteligjenca artificiale [IA]dhe teknologjia janë kudo në agjendë. Pyetja nuk është më a do të përdoret IA-ja, por si rregullohet, si integrohet në ekonomi pa shkatërruar tregun e punës dhe pa krijuar monopole të pakontrollueshme. Një tjetër shtyllë diskutimi është kapitali njerëzor. Aftësitë, edukimi, shëndeti mendor dhe përshtatja e fuqisë punëtore me teknologjinë po trajtohen si çështje strategjike, jo sociale. Dhe, mbi të gjitha, si zakonisht është tema klima dhe qëndrueshmëria.
Për fat të mire, ka dy vite që Republika e Kosovës paraqitet më denjësisht në këtë forum përmes shtëpisë së saj aty, “House of Kosova”, gjë që ka ngjallë interesim të madh për bashkëpunim nga miq, partnerë e institucione të ndryshme ndërkombëtare. Një forum tillë duhet ta shfrytëzojmë më shumë, të shkojmë me iniciativa dhe projekte konkrete dhe pjesëmarrje dinjitoze dhe promovim efikas në nivel global edhe në media sociale.
Edhe ekonomia e Kosovës ka nevojë për të njëjtin reflektim në nivelin e vet. Ekonomia vendore ka nevojë për një forum të përhershëm të biznesit, ku kompanitë, shoqatat dhe asociacionet kryesore takohen fillimisht mes vete për diskutime strategjike, për të lexuar kërkesat e tregut, sfidat rajonale, deficitin tregtar, tranzicionin energjetik, industrializimin, digjitalizimin, arsimin, fuqinë punëtore dhe konkurrencën.
Ky forum duhet të shërbejë si mekanizëm paraprijës i cili duhet të shfrytëzojë këtë vit, këtë periudhë dimri dhe kohën para themelimit të qeverisë së re që të përgatisë me saktësi e qartësi gjithë planin katërvjeçar se si e sheh vetë biznesi zhvillimin ekonomik e social. Nëse Davosi është busulla globale, Kosova ka nevojë për busullën e vet. Ky mekanizëm apo forum diskutimi duhet të jetë një hap para diskutimit me Këshillin Ekonomik-Social që organizon qeveria. Kjo platformë është domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm.
Ideja është e thjeshtë. Bizneset janë të parat që i shohin ndryshimet dhe presionet që po vijnë. Qeveria ka përgjegjësinë e drejtimit dhe të planit zhvillimor kombëtar. Kur këto dy palë flasin me kohë dhe në mënyrë të strukturuar, shmangen vonesat, keqkuptimet dhe politikat e gabuara.
Raporti i fundit i Institutit GAP për importet dhe eksportet e Kosovës e zbret këtë diskutim në shifra të qarta. Importet dominojnë, deficiti i madh tregtar, struktura e eksporteve është e ngushtë dhe vlera e shtuar mbetet e ulët. Është pasqyrë e realitetit ekonomik në vendin tonë.
Ky raport na tregon sa shumë punë na pret përpara. Na tregon ku po humbim, ku po varemi nga jashtë dhe ku realisht kemi potencial për rritje të brendshme dhe eksporte. Një analizë tjetër e Institutit GAP, e publikuar para disa vitesh, tregonte se përmes një mbështetjeje minimale prej vetëm disa eurocentësh nëse do të mbështeteshin bizneset vendore të prodhimit të blloqeve, tullave etj. nga argjila; importi nga Serbia do të binte ndjeshëm dhe do të kishte mundësi që kërkesën e madhe për ndërtim ta mbulojnë me prodhim vendor. Por, kjo nuk ka ndodhur, për fat të keq! Pse? Sepse duhet një forum serioz dhe profesional diskutimi që përfaqëson interesat e komunitetit të biznesit.
Prandaj, një forum i biznesit për diskutime strategjike duhet të nisë nga të dhënat si këto, nga analiza serioze - sektor për sektor. Që në ditën e parë të dialogut me qeverinë, biznesi të jetë i përgatitur me fakte, me prioritete të qarta dhe me propozime konkrete për ndryshim.
Vetëm kështu diskutimi kalon nga “çfarë nuk është mirë” në “çfarë duhet bërë dhe si”. Dhe, vetëm kështu krijohet baza për politika që e ndryshojnë realisht strukturën ekonomike të vendit.
Kjo nismë duhet të duhet të jetë një ftese për takim pune mes komunitetit të biznesit. Vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë e kanë rritur pasigurinë, por nuk e kanë ndalur ekonominë. Bizneset vazhdojnë të punojnë, të investojnë, të rrezikojnë dhe të mbajnë peshën kryesore të zhvillimit. Pikërisht për këtë arsye, komuniteti ekonomik nuk mund të presë pasivisht. Duhet të organizohet, të artikulojë qartë nevojat dhe të jetë gati me një agjendë të përbashkët që nga dita e parë e krijimit të institucioneve të reja.
Takimi i propozuar synon të mbledhë në një tryezë odat ekonomike, shoqatat e biznesit, kompanitë dhe ekspertët për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët. Politika ekonomike, projektet strategjike, sektorët që kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe roli i diasporës si partner zhvillimor.
Kjo qasje e kthen dialogun me qeverinë nga një proces ad hoc në një mekanizëm të strukturuar. Biznesi vjen i përgatitur, me analiza, me kërkesa të qarta dhe me projekte konkrete. Qeveria fiton një partner serioz, jo vetëm një palë që reagon pasi vendimet janë marrë.
Në thelb, kjo është thirrje për pjekuri dhe unitet. Një hap i domosdoshëm për ta lidhur ekonominë reale me politikat publike dhe për të mos humbur edhe një vit tjetër në pritje.
(Autori është drejtor i Bordit të KIMERK-ut - Klasteri i Industrisë së Metalit dhe Energjisë së Ripërtëritshme)




















































