Një 17 shkurt mes krenarisë shtetërore dhe thirrjes për drejtësi për krerët e UÇK-së

Prishtina, më 17 shkurt 2026 u zhyt në një atmosferë më ndryshe se herave të tjera. Festimi i 18‑vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u përcoll fuqishëm me një marsh të madh kundër procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish‑udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Qindra mijëra qytetarë, nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” për të marrë pjesë në marshin me moton “Drejtësi, jo politikë”.
Në qendër të Prishtinës, flamujt kuq e zi, të Kosovës dhe simbolika e UÇK‑së dominuan atmosferën, ndërsa zëri i pjesëmarrësve qëndronte i qartë “Drejtësi, jo politikë” - një thirrje që shumë e shohin si kërkesë për një gjykim të drejtë dhe paanshmëri në trajtimin e luftës çlirimtare dhe komandantëve të saj.
Organizatorët kishin paralajmëruar një pjesëmarrje masive, dhe shifrat që qarkulluan gjatë ditës flisnin për qindra mijëra qytetarë në shes, kryesisht nga të gjitha trevat shqiptare, duke e bërë këtë tubim një nga më të mëdhenjtë në historinë e protestave të kohëve të fundit në Kosovë.

Për mbështetjen e pjesëmarrësve ishin angazhuar edhe strukturat e rendit dhe transporti publik ishte bërë falas për ditën e sotme, për të lehtësuar ardhjen e qytetarëve nga komunat e Kosovës.
Fjalimet emocionale dhe mesazhet nga podiumi pasqyruan ndjenjat e shumicës së të pranishmëve.
Ismail Tasholli, një nga organizatorët nga platforma “Liria ka Emër” theksoi: “Drejtësia nuk mund të jetë selektive, por duhet të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë për të gjithë. Sot, në Ditën e Pavarësisë, dërgojmë një mesazh të qartë atyre në Hagë: ju nuk jeni vetëm. Për ju qëndron një popull i tërë, historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë.”
E, në emër të presidentes Vjosa Osmani, në protestë foli e mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman.
“Ne flasim për drejtësi dhe krimet që i kreu Serbia në Kosovë. Ne jemi të gjithë këtu për t’i liruar ata nga Haga, sepse nëse doni ta dini se çka e bashkon popullin shqiptar është cenimi i lirisë dhe padrejtësia... Ata duhet të lirohen. Ata mbrojtën popullin e vet si e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Krasniqi-Goodman.
Në ditën kur vendi feston lirinë e fituar 18 vjet më parë, ky marsh qytetar u bë një moment reflektimi dhe reagimi publik ndaj proceseve ndërkombëtare, duke bashkuar në mënyrë dramatike dhe simbolike festimin e pavarësisë me një thirrje për drejtësi dhe nderim të sakrificave të së kaluarës.

E për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin e marta e 17 shkurtit ishte dita e parë pas gjashtë sosh që nuk u nisen për në sallën e gjyqit për t’i dëgjuar deklaratat përfundimtare në rastin kundër tyre.
Thaçi, ish-president, Veseli e Krasniqi, ish-kryeparlamentarë, dhe Selimi, ish-deputet, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
Prej 9 deri më 18 shkurt, në Hagë shpalosen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Prokuroria, gjatë fjalës së vet, kërkoi dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve. Për ekipet mbrojtëse, një kërkesë e tillë është e barasvlershme me burgim të përjetshëm, prandaj ato i hodhën poshtë të gjitha pretendimet e palës tjetër.
Gjykata Speciale funksionon me ligje të Kosovës, ndërsa për çështje sigurie selinë e ka në qytetin holandez.
Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetorin e vitit 2000. /Telegrafi/
























































