Një 12-vjeçar mbytet në lumin Lepenc

Rasti me epilog tragjik është konfirmuar nga policia dhe nga mjeku kujdestar i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik.
"Mirlind (Enver) Thaçi është sjellë këtu pa shenja jete pak minuta pas orës 16:00", ka thënë Arsim Shala, mjek kujdetar në Emergjencën e QKMF-së të Kaçanikut.
Ai ka theksuar se i ndjeri nuk ka pasur lëndime trupore, ndërsa dyshimi i parë çon te mbytja në ujë. Edhe policia ka thënë se bazuar në hetimet e para dyshohet se i ndjeri është mbytur në ujërat e Lepencit.
"Rasti ka ndodhur në lumin Lepenc, te Ura e Kashanit. Një qytetar iu ka përgjigjur thirrjes së fëmijëve që po laheshin në lumë, të cilët kanë kërkuar ndihmë për ta shpëtuar një 12-vjeçar që po mbytej në ujërat e Lepencit. Rreth orës 16:10 viktima është dërguar në QKMF-në e Kaçanikut, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar se është pa shenja jete", ka thënë togeri Mehmetali Hajdini, komandant i Stacionit Policor të Kaçanikut, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se hetimet lidhur me rastin është duke i bërë Njësiti hetimor i Policisë rajonale të Ferizajt. /Telegrafi/













































