Nisin investimet për përmirësimin e furnizimit me ujë në Malishevë, faza e parë me vlerë 315 mijë euro


Ka nisur faza e parë e investimeve për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes në Komunën e Malishevës, me një vlerë fillestare prej 315 mijë euro.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se përmes marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe KRU “Hidroregjioni Jugor” po mundësohet nisja e këtij projekti.
“Përmes marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe KRU ‘Hidroregjioni Jugor’, po mundësojmë nisjen e fazës së parë të investimeve për furnizimin me ujë të pijes në Malishevë”, ka deklaruar Rizvanolli.
Sipas saj, ky investim fillestar është pjesë e një projekti më të madh me vlerë mbi 7 milionë euro, ndërsa dy fazat e para arrijnë vlerën prej 3.6 milionë euro.
Në kuadër të kësaj faze parashihet ndërrimi i pompave dhe ndërtimi i një rezervuari të ri me kapacitet 1000 metra kub, që synon përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetarët e Malishevës. /Telegrafi/



































