LAJMI I FUNDIT:

Nis procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik

Nis procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik

Agjencia Kundër Korrupsion ka njoftuar se nga 1 marsi ka filluar procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik në Kosovë, ku të gjithë këta zyrtarë janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë në këtë agjenci.

Me këtë rast, Agjencia Kundër Korrupsion ka dërguar njoftimin tek të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (zyrtarët kontaktues për deklarimin e pasurisë) që të bëjnë deklarimin e pasurisë sipas afateve kohore të përcaktuara me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave nga data 01 deri më 31 mars të këtij viti.


“Në njoftimin dërguar në Institucionet publike, Agjencia Kundër Korrupsion ka rikujtuar gjithashtu se mos- deklarimi i rregullt i pasurisë nga zyrtarët publik dhe mosrespektimi i Ligjit 04/L-050, si dhe Ligjit 04/L-228 për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik, Agjencia kundër Korrupsionit do paraqesë kallëzim penal në pajtim me Kodin Penal”, thuhet në njoftimin e agjencisë.

Deklarimit të rregullt vjetor i pasurisë janë të obliguar t’i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publik, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti. /Telegrafi/