Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në takim kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, me të cilin ka diskutuar për sfidat dhe projektet në sektorin e ujësjellësit në këtë komunë.

Gjatë takimit, kryetari Lladrovci ka paraqitur përpjekjet dhe investimet e bëra nga komuna për përmirësimin e infrastrukturës, ndërsa kryeshefi Fetahu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë në përfundimin e projekteve dhe sigurimin e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm për qytetarët.


Pas takimit, nënkryetari i komunës, Arben Shala, dhe kryeshefi Fetahu vizituan fshatrat Vërboc dhe Shtuticë, ku u përurua zyrtarisht fillimi i furnizimit me ujë të pijshëm. Në ditët në vijim, ekipet teknike do të identifikojnë dhe eliminojnë defektet eventuale në rrjet.

Komuna e Drenasit dhe KRU “Prishtina” u kanë bërë thirrje banorëve të këtyre fshatrave që të kryejnë procedurat për regjistrim dhe nënshkrim të kontratave, me qëllim që sistemi i furnizimit të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të mos rrezikohet ndërprerja e shërbimit.

Ndërkohë, pas testimeve dhe sanimit të rrjetit, kompania ka paralajmëruar fillimin e furnizimit me ujë të pijshëm edhe në fshatrat Terstenik dhe Pollzhë, si dhe një vlerësim të gjendjes së rrjetit në fshatin Krajkovë.

Aktualisht, punimet për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit janë duke vazhduar edhe në disa vendbanime të tjera të komunës, me synimin që çdo qytetar i Drenasit të ketë qasje të barabartë dhe të qëndrueshme në ujë të sigurt për pije. /Telegrafi/