LAJMI I FUNDIT:

Ngadalë EU-lex!

Serbia zyrtare, po kërkon përgjegjësi për civilët e zhdukur serb, të zhdukur në një konflikt ku ata ishin agresorë, dhe ku ata e kontrollonin krejtësisht terrenin, ku ata kishin aq kontroll të plotë sa arritën përmes spastrimit etnik me përzënë jashtë vendit pjesën dërmuese të popullatës shqiptare, vetëm në pak ditë. E përgjegjësi kërkohet, nga një ushtri guerile e cila në kohën e ofensivës serbe ishte gati para shpartallimit, dhe e cila nuk ishte në gjendje as ta mbrojë popullin e vet. Ndërkohë, Serbia as nuk e ka parë të nevojshme madje të kërkoj falje për krimet e ushtrisë së vet dhe paramilitarëve tjerë, një pjesë e të cilëve ende qëndrojnë në mënyrë konspitaive në Kosovë dhe krijojnë tensione te vazhdueshme.

Të shtrohet çështja e krimeve të luftës në Kosovë, me kërkesë të Serbisë, e cila ende nuk ka mbledhur fuqi të kërkoj falje për krimet e rënda të shtetit serb në Kosovë, është një qasje e gabuar ndaj një procesi të zgjidhjes përfundimtare të një konflikti, i cili ende po ruan në vete potencial të fuqishëm për shpërthim. Kjo nuk është shfaqje e vullnetit të mirë për bisedime, por është shenjë se fashizmi në Serbi është i fuqishëm ende, dhe se ata po duan të legjitimohen përmes viktimizimit. Krejt kjo zhvillohet para syve të qytetarëve të hutuar të Kosovës të cilët vështirë po e kuptojnë se si mundet të negociohet me kriminelin, i cili ende s’ka kërkuar falje për krimin, i cili ende nuk është i vetëdijshëm për krimin dhe i cili ende nuk jep garancione se krimi nuk do të përsëritet. Është një bindje e përgjithshme se Serbia oficiele e cila ende nuk është distancuar nga krimet e shtetit serb në Kosovë, nuk mund të jetë partner për bisedime përmbajtjesore, sepse në këtë rast do të bisedohej për dorëzim dhe heqje dorë të qytetarëve të Kosovës nga liria dhe demokracia, e për këtë askush s’ka mandat të bisedoj, sepse në të kundërtën cilido grup konspirativ do të ketë të drejtë morale dhe legale ta kontestojë atë.


EU- lexi, fatkeqësisht, i pafuqishëm të ballafaqohet me krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, madje edhe vrasjet e pasluftës, ka filluar të merret me tema të luftës, e cila ende nuk është mbyllur në kokat e njerëzve, sepse ende nuk është arritur një marrëveshje paqe, ende agresori nuk është ndëshkuar dhe ende çlirimtarët nuk kanë gëzuar satisfaksionin e duhur. Vetëm kur lufta të mbyllet, atëherë një shtet i kompletuar siç duhet të jetë Kosova, mundet dhe duhet të filloj fuqishëm, dhe me të drejtë morale edhe ndjekjen e krimeve të luftës, duke i dënuar ata ish-luftëtarë të cilët pa vetëdije ose me të, kanë bërë gabime të pafalshme, të cilat nuk përkojnë me luftën e drejtë që e ka zhvilluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar për çlirimin e Kosovës.

Ndërkohë, Serbia zyrtare, e shpallur tashmë përgjegjëse për të gjitha konfliktet në ish-jugosllavi, përgjegjëse për krime të rënda ndaj popujve, krime këto me përmasa gjenocidi, falë konjukturës dhe interesave të fuqive, ka arritur të krekoset dhe të kërkoj përgjegjësi për civilët e zhdukur serb, të zhdukur në një konflikt ku ata ishin agresorë, dhe ku ata e kontrollonin krejtësisht terrenin, ku ata kishin aq kontroll të plotë sa arritën t’i përzënë jashtë vendit pjesën dërmuese të popullatës, vetëm në pak ditë. Prandaj ndodhi edhe ndërhyrja ndërkombëtare, nëse kjo i kujtohet ndokujt tashmë. E përgjegjësi duhet të japin, sipas tyre, ato forca guerile, të cilat në atë kohë ishin gati para shpartallimit dhe të cilat as ishin në gjendje ta mbrojnë popullin e vet.

Faktori ndërkombëtarë, në përpjekje për me e shkëputë Serbinë prej Rusisë, po i bënë asaj kompromise joparimore, të cilat sipas të gjitha gjasave, nëse nuk eskalojnë sërish në dhunë, gjithsesi do të çojnë në një konflikt të ngrirë në zemër të Evropës. Modeli turk i Qipros, do të na mbetet në derë bashkë me ringjalljen e një projekti i cili po synohet të aktualizohet si koncept i një paradhome evropiane për Ballkanin Perëndimorë, ku do të mbeteshim për një kohë relativisht të gjatë.

Duke qenë i vetëdijshëm se krimet nuk maten me numra, por sipas parimit “ke vrarë një njeri, ke vrarë njerëzimin”, sidoqoftë, insistoj se krimet duhet të maten me kritere tjera. Krimet e shtetit serb në Kosovë ishin një projekt gjenocidal me pasoja të tmerrshme për qytetarët e këtij vendi, e ndër ta edhe për serbët të cilët në pjesën më të madhe ishin pjesë e këtij projekti, përkrahës të tij, ose së paku vështrues dhe përfitues të heshtur prej tij. Me përjashtime të vogla, një pjesë e madhe e qytetarëve serbë, të vetëdijshëm për këtë fakt, me ikjen e ushtrisë serbe e lëshuan Kosovën. Me kthimin e tyre, po bëhen përpjekje të jenë sërish nën ombrellën e shtetit serb, dhe po të ndodhë, kjo do të ringjallë të gjitha shkaqet që e krijuan konfliktin.

Asnjë bisedim nuk do të japë rezultate pa një vetëdijesim të Serbisë se duhet krijuar shkëputje nga ambiciet serbomëdha ndaj Kosovës, se duhet kërkuar falje për krimet në Kosovë, dhe vetëm pas një shkëputjeje nga trashëgimia millosheviqiane, memorandumiane, mundet me rrugë ligjore t’i shtrojë të gjitha interesat e veta dhe t’i ngritë të gjitha lëndët e dyshuara për krime ndaj civilëve apo edhe robërve eventual të luftës. Madje, në rrethana normale, kur të tejkalohet rreziku serb për rikthim (E shpresat serbe për rikthim institucional në Kosovë si duket nuk janë shuar ende falë hutisë së faktorit ndërkombëtar) vet institucionet ligjore të Kosovës duhet të trajtojnë me prioritet edhe krimet ndaj civilëve serb.

Serbia zyrtare, përmes një diplomacie proaktive, po përpiqet ta eskivojë përgjegjësinë për krimet në Kosovë duke u përpjekur t’i ndërroje rolet para opinionit ndërkombëtarë: ata po përpiqen që serbët t’i shndërrojë në viktima dhe shqiptarët në agresorë, duke i futur në një pako marketingu dy kohë të ndryshme. Ky konfuzion është krijuar nga interesa kundërthënëse të bashkësisë ndërkombëtare, e cila po shkelë rregullat elementare të fillimit të një dialogu serioz i cili do të duhej të çonte te një zgjidhje përfundimtare të konfliktit historik shqiptaro –serb.

Duke evituar çfarëdo kërkimfalje publike ndaj qytetarëve të Kosovës, duke eskivuar të shkëputet nga ambiciet territoriale ndaj Kosovës, Serbia zyrtare po e konteston edhe arsyeshmërinë e ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë, arsyeshmërinë e bombardimit të saj nga ana e Aleancës Veri-atlantike, dhe çuditërisht te një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare ka arritur të ngjallë një brejtje ndërgjegjeje. Potezi i ardhshëm do të jetë kërkesa për kompensime nga bashkësia ndërkombëtare për bombardimet.

Në kohën kur Serbia zyrtare ka marrë pozicion agresiv ndaj Kosovës, dhe kërkon të trajtohen krimet e luftës në Kosovë, me të drejtë është nxitur një revoltë e qytetarëve të Kosovës, ku një numër ende shumë i madh i personave konsiderohen të pagjetur, të zhdukur dhe qarkullojnë madje edhe shpresa ireale se ata mund të jenë nëpër burgje sekrete në Serbi, apo madje edhe në Rusi, si është rasti për dezinformatat e shumta rreth fatit të Ukshin Hotit etj.

Agresiviteti i EULEX-it në këtë periudhë, edhe pse realisht mund të ketë gabime, e ndoshta edhe krime individuale apo grupore edhe në anën e UÇK-së, është i paarsyeshëm dhe i pamenduar mirë. Një qasje e tillë ndaj një konflikti, ku agresori i vërtetë për interesa strategjike amnistohet dhe ngrihen në nivel të lartë raste të dyshuara individuale apo grupore hakmarrjeje, është jofrytdhënëse dhe e gabuar. Kjo mundet vetëm t’i mbajë gjallë shpresat e militantëve serbë se ata munden ta shantazhojnë vazhdimisht Kosovën, se ata munden me qenë vazhdimisht faktorë vendimtarë, dhe se qytetarët e Kosovës do të jenë vazhdimisht peng të një pakice e cila përkundër respektit ka refuzuar të gjitha ofertat për integrim.

Qytetarët e Kosovës, mbase me një besim të verbër ndaj çdo gjëje perëndimore dhe evropiane, kanë shkuar deri në mohim të vetvetes për ta deklaruar qartë orientimin e vet evropian. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se ne duhet të bëjmë edhe shumë për të qenë të gatshëm për kyçje të plotë në këtë proces integrues, por ne kemi bërë hapin më të madh: si qytetarë të lirë kemi shpreh dëshirën të ballafaqohemi me veten dhe gabimet tona eventuale. Ballafaqimi me gabimet tona, duhet të jetë angazhim serioz i institucioneve tona të drejtësisë, duke krijuar shkëputje të plotë dhe të pakompromis me çdo lloj të krimit, pavarësisht kush të jetë kryesi.

Në fund, duhet shprehur qartë frika se kjo qasje e gabuar ndaj konfliktit dhe bisedimeve, mundet ta çojë vendin në një konflikt të brendshëm me përmasa të pakontrollueshme, me hapje rrugë për ambiciet e shtetit serb për rikthim në Kosovë, me bllokim të procesit të integrimit të komunitetit serb në shoqërinë tonë, në hapjen e problemeve të pazgjidhura të statusit të shqiptarëve në Serbi, në Luginën e Preshevës, në Sanxhak si dhe çështja e pronave të muhaxherëve nga rrethi i Nishit dhe Toplicës etj. Krejt kjo mundet ta stopojë procesin integrues të Kosovës dhe shqiptarëve në strukturat kontinentale dhe veriatlantike dhe ky do të ishte dëmi ma i madh , i cili rrezikon pastaj që të riaktualizohet i gjithë ruleti vetëvrasës ballkanik.

Prandaj, EU-lex, ngadalë!. Nëse s’po arrini me bë asgjë si duhet, së paku mos u turpëroni!!!

(Autori është drejtor i Qendrës për Studime Ballkanike, në Prishtinë)

Në trend

Më shumë
Veprimi i shëmtuar i PSG-së në momentin që Mbappe publikoi videon lamtumirëse

Veprimi i shëmtuar i PSG-së në momentin që Mbappe publikoi videon lamtumirëse

Ligue 1
Spikeri thirri emrin e Mbappes në stadium, tifozët e PSG-së me veprim që pak kush e ka pritur

Spikeri thirri emrin e Mbappes në stadium, tifozët e PSG-së me veprim që pak kush e ka pritur

Ligue 1
Kërkesa e parë e Arne Slot tek Liverpooli është transferimi i top yllit të Newcastle

Kërkesa e parë e Arne Slot tek Liverpooli është transferimi i top yllit të Newcastle

Premier League
Zhvillime dramatike në Rusi - Putini propozon zëvendësimin e ministrit të Mbrojtjes, aleatit Sergei Shoigu

Zhvillime dramatike në Rusi - Putini propozon zëvendësimin e ministrit të Mbrojtjes, aleatit Sergei Shoigu

Botë
Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Alarmoi drejtori i Antikorrupsionit, deputeti Basha kërkon të hetohet rasti i politikanit që fshehu 5 milionë euro në bankën e Zvicrës

Lajme
Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

Vinicius Junior do të bëhet lojtari më i shtrenjtë në histori, gjiganti evropian përgatitë ofertë bombastike për asin brazilian

La Liga
Kalo në kategori