LAJMI I FUNDIT:

Nga Stacioni i Autobusëve deri te mbikalimi Arbëria, Rama prezanton projektet për transformimin e kryeqytetit

Nga Stacioni i Autobusëve deri te mbikalimi Arbëria, Rama prezanton projektet për transformimin e kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar disa projekte për transformimin e kryeqytetit në “Kosova Business Forum”.

Temë kryesore e këtij forumi është “Prishtina 2030 – Udhëheqja e rrugës drejt një kryeqyteti të së ardhmes”.

Para qindra bizneseve, Rama prezantoi Stacionin e Autobusëve në Prishtinë si projekt të parë.


“Shumica prej juve e dini që ky projekt është në zemër të Prishtinës. Është një zonë prej 15.5 hektarësh, e cila është shumë pak e shfrytëzuar”, tha ai.

I pari i Prishtinës tutje tregoi se synojnë që të krijojnë një stacion të ri të autobusëve bashkë me parking nëntokësor.

“Kosova Business Forum”, diskutohet për sfidat e bizneseve dhe mungesën e fuqisë punëtore
Lexo po ashtu “Kosova Business Forum”, diskutohet për sfidat e bizneseve dhe mungesën e fuqisë punëtore

“Ne synojmë që me këtë projekt ta transformojmë dhe ta krijojmë një stacion të ri të autobusëve me parking nëntokësor. Kjo është ajo që i nevojitet kryeqytetit”, deklaroi Rama.

“Planifikimi ynë ka qenë që këtë zonë prej 15.5 hektarësh ta ndajmë në nëntë parcela dhe që investitorët potencialë të kenë mundësinë të fokusohen në një, dy apo të gjitha parcelat”.

Ai tregoi gjendjen ekzistuese të Stacionit të Autobusëve teksa prezantoi edhe një konceptualizim të zonës se si do të mund të dukej.

“Total parashihet që ky investim të jetë në vlerën prej 920 milionë euro”, tha i pari i kryeqytetit.

Projekti i dytë që e prezantoi ai është Parku Industrial që ndodhet në Bërrnicë.

“Kemi disa kompani që kanë shprehur interesim për të ardhur në Prishtinë e për të investuar dhe për të krijuar vende të reja të punës”, u shpreh ai.

Projekti tjetër është Fshati Olimpik, për të cilin Rama tha se tashmë kanë bërë masterplanin për këtë zonë.

“Kemi mundësi të shumta. Kemi kaluar me hapa të shpejtë në transformimin e kësaj zone. Në këtë zonë që është rreth 60 hektarëshe, një pjesë është e komunës e pjesa tjetër e qeverisë. Ne kemi bërë disa propozime që tash të lëvizim me hapa të shpejtë rreth transformimin të kësaj pjese për realizimin e infrastrukturës sportive për Fshatin Olimpik. Investimi i përafërt në këtë zonë është 250 milionë euro”.

Projekti tjetër Tulltorja Art-Tek, të cilin Rama e quajti “diamant ende i pagdhendur mirë”.

“Është në qendër të kryeqytetit. Tulltorja ka një trashëgëmi arkitektonike prej pas Luftës së Dytë Botërore. Është zonë me 4.5 hektarë. Investimi këtu parashihet të jetë rreth 15 milionë euro. Mendoj se ky investim është i vogël në krahasim me ndikimin që do të ketë për kryeqytetin”.

Ai mes tjerash prezantoi edhe projektin për Kino Rininë.

“Është një ndërtesë e mbrojtur përkohësisht ku disa prej elemneteve të brendshme aty synohen të mbrohen. Ka mundësi që kjo zonë të zhvillohet më shumë”.

Rama po ashtu prezantoi edhe projektin për mbikalimi që lidh lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë.

“Është një projekt që e kam premtuar dhe faktikisht i cili mundëson transformimin e kryeqytetit”, u shpreh ai. /Telegrafi/