Nga Spanja e bëjnë fakt të kryer, Juve ka marrëveshje me Porton për Alex Telles

Juventusi do ta transferojë një tjetër mbrojtës nga gjiganti portugez Porto.
Së paku kështu kanë bërë me dije lajmet e fundit që vijnë nga Spanja.
Don Balon ka raportuar se dy klubet tanimë kanë arritur marrëveshje për transferimin e mbrojtësit të majtë brazilian, Alex Telles.
Mbrojtësi i majtë brazilian është ndër më të mirët në Evropë dhe ka shkëlqyer me Porton vitet e fundit.
Telles këtë edicion ka zhvilluar 37 ndeshje në të gjitha garat për klubin portugez, ku ka 10 gola dhe nëntë asistime.

Kampionët e Italisë duket se kanë fituar garën për brazilianin me gjigantin anglez Chelsea që gjithashtu interesohej për të.
Zonja e Vjetër besohet se do të paguaj 25 milionë euro për afrimin e Telles, pasi kontrata e lojtarit skadon në verën e vitit 2021 dhe ai nuk ka pranuar rinovimin me Porton.
Kujtojmë që Telles edhe më parë ka qenë pjesë e Serie A, kur ishte i huazuar te Interi në edicionin 2015/16. /Telegrafi/











































