Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hedhur sot shortin zyrtar për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, në kuadër të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Duke përcaktuar renditjen numerike që secili subjekt do të ketë në fletëvotim, shpesh ka ndikim në strategjinë e fushatës dhe në mënyrën e komunikimit me votuesit.


Pas hedhjes së shortit, partitë politike kanë nisur të zyrtarizojnë edhe sloganet me të cilat do të garojnë në këto zgjedhje, duke synuar që përmes tyre të përçojnë mesazhe të qarta për elektoratin në komunat përkatëse.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të garojë me numrin 105, dhe do të prezantohet para qytetarëve me sloganin “Numri i fitores për komunat”.

Në një njoftim LVV ftoi qytetarët që të rrethojnë numrin 105.

“Për ndryshimin që s’ndalet, për përfaqësim të denjë, të ndershëm dhe punëtor. Më 12 tetor, rrethoni 105. Për komunën që e duam. Për të ardhmen që e ndërtojmë bashkë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të ketë në fletëvotim numrin 191, dhe fushata e saj do të zhvillohet nën moton “Ma mirë për komunën”.

I pari i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh se do të sjellin modelin e qeverisjes më të mirë nëpër komuna.

“Me numrin 191, PDK hyn në zgjedhjet lokale për t’ua sjellë komunave të Kosovës modelin e qeverisjes #MaMirë - me punë, përgjegjësi dhe vizion. Me kandidatët më të mirë për kryetarë, këshilltarët më të përgatitur komunalë dhe programin më zhvillimor, jemi gati për fitore. Bashkë, përpara”, shkroi Krasniqi.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është renditur me numrin 113, dhe ka zgjedhur sloganin “Kosova përtej”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se 12 tetori do të jetë festa e tyre. “Ky është numri ynë. 12 tetori është festa jonë. LDK përgjithmonë”, ka shkruar Abdixhiku.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të garojë me numrin 174, me sloganin “"Dritë për komunat".

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Aleanca është shembull për të gjithë sepse për ta flet puna e jo premtimet.

“174 është numri i Aleancës në fletëvotim! Më 12 tetor, qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin njerëz të dëshmuar në komuna dhe vizionin tonë për fitore të reja.  Aleanca gjithmonë ka treguar se është shembull, shembull për të gjithë, sepse për ne flet puna, jo premtimet.  Ky është angazhimi ynë: punë, jo premtime, dhe këtë e kemi vërtetuar kudo ku kemi marrë përgjegjësi”, u shpreh Haradinaj.

Nisma Socialdemokrate është renditur me numrin 186, dhe do të paraqitet para votuesve me sloganin “Përjetë Kosova”.

Kryetari i këtij subjekti Fatmir Limaj u shpreh se Kosova është amaneti ynë, përkushtim i përjetshëm.

“Me numrin 186, NISMA Socialdemokrate hyn në këto zgjedhje lokale me besim të plotë dhe vendosmërinë për të qëndruar pranë qytetarëve, për të mbrojtur vlerat tona dhe për të sjellë qeverisje që matet me vepra, jo me fjalë. "Përjetë Kosova" është besimi ynë i palëkundur, është përkushtimi i gjeneratave që e ndërtuan këtë vend me gjak, mund dhe sakrificë. Është zotimi ynë që kudo, në çdo qytet e në çdo komunë, do të jemi zëri i qytetarëve. Është zotimi ynë që të mbesim gjithmonë në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ne do të vazhdojmë përjetësisht angazhimin tonë për Kosovën, për dinjitetin e qytetarëve tanë dhe për të ardhmen euro-atlantike që e meriton vendi ynë. Përjetë Kosova”, ka shkruar Limaj.

Fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht më 13 shtator, ndërsa vetë zgjedhjet do të mbahen më 12 tetor në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Në total, për këto zgjedhje lokale janë certifikuar 93 subjekte politike, përfshirë: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur

Përballja në këtë fushatë do të fokusohet në çështje të tilla si zhvillimi ekonomik lokal, shërbimet publike, infrastruktura, mirëqenia sociale dhe transparenca në qeverisje. /Telegrafi/