LAJMI I FUNDIT:

Nevojitet bujqësi moderne dhe konkurruese në Maqedoni

Nevojitet bujqësi moderne dhe konkurruese në Maqedoni

Agronomët thonë se rajonalizimi në bujqësi është instrument për të rritur maksimalisht përfitimin. Kjo për shkakun se në një territor të caktuar nxitet specializimi në kultura të caktuara bujqësore me më pak shpenzime për të përfituar më shumë të ardhura.

Maqedonia renditet ndër shtetet e rralla në rajon, së bashku me Kosovën, ku mungon rajonalizimi i prodhimtarisë bujqësore si dhe të dhënat relevante për truallin bujqësor në tërë shtetin, shkruan gazeta KOHA. Madje para Maqedonisë lidhur me hartën e rajonalizimit të prodhimeve bujqësore është edhe Shqipëria, e cila një projekt të tillë e realizoi në vitin 2014. Vlerësohet se në ekonominë globale, specializimi është kusht dhe mundësi për t’ia rritur aftësinë konkurruese në treg, andaj pritet që edhe rajonalizimi i mbjelljeve të kulturave bujqësore të ndihmojë plasmanin e prodhimeve bujqësore të Maqedonisë në shtetet e jashtme. Specialistët e bujqësisë thonë se në të ardhmen do të zvogëlohet në maksimum tendenca e një pjese të madhe të fermerëve në Maqedoni që të prodhojnë nga të gjitha kulturat nga pak, për të parandaluar problemet me plasmanin.


Që fermerët vendorë të jenë konkurrent në tregun vendor dhe të jashtëm duhet të specializohen në prodhimin e produkteve të caktuara. Duke u specializuar, fermerët e zvogëlojnë koston e prodhimit, prodhojnë produkte cilësore dhe e risin sasinë e prodhimit. Në këtë mënyrë ata janë konkurrent në treg duke i rrit shitjet. Aktualisht mbjellja e kulturave bujqësore realizohet sipas dëshirave të bujqve apo kërkesave të tregut dhe jo sipas llojit të truallit. Pritet prej vitit 2019, me përfundimin e projektit të rajonalizimit të prodhimtarisë bujqësore, të fillojë edhe planifikimi i llojit dhe vëllimit të prodhimtarisë bujqësore, dedikimi i hapësirave bujqësore për kultura të caktuara, rritjen e mbrojtjes së rrezikut nga thatësia si dhe realizimit më të mirë të planeve për zhvillim rural.

Me projektin për rajonalizimin e prodhimtarisë bujqësore, që fillon të realizohet këtë muaj, bujqit do të dinë saktësisht se në cilin rajon më së miri rritet një kulturë bujqësore, si dhe do të fitojnë listë të kulturave të rekomanduara dhe llojeve që do të përkrahen me masat për përkrahje financiare të zhvillimit të bujqësisë, gjegjësisht me subvencionet. Projekti i “Zonimit agro-ekologjik”, apo rajonalizimit bujqësor do të zbatohet në dy vitet e ardhshme, falë marrëveshjes së nënshkruar midis Ministrisë së Bujqësisë së Maqedonisë dhe FAO, apo Organizatës për bujqësi dhe ushqim të OKB-së.

NJË HARTË PËR RAJONALIZIMIN

“Projekti do të mundësojë informacione të sakta se në cilin rajon më së miri rritet ndonjë kulturë. Republika e Maqedonisë, edhe pse me hapësirë të vogël, karakterizohet me mjaft kushte heterogjene klimatike dhe të truallit. Prodhuesit bujqësor dhe investitorët potencial shpesh nuk kanë informacione dhe indikatorë për atë se cilat kultura, lloje apo fara më së miri rriten në rajonet e caktuara prodhuese. Gjithashtu, rezultatet e fituara do të shërbejnë për përgatitjen e listës për kulturat dhe llojet e rekomanduara , ndërsa listat do të sugjerojnë përzgjedhjen e drejtë të kulturave dhe llojeve që përgjigjen për kultivim në rajone konkrete dhe do të japin rezultate më të mira lidhur me sasitë dhe cilësinë.

Kjo do të mundësojë shfrytëzim maksimal të investimit dhe të ardhura më të mira për ekonomitë bujqësore”, thotë ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski. Sipas tij, këto informacione në një pjesë të madhe do të ulin investimet e gabuara dhe do të udhëzojnë për përcaktimin e drejtimeve të ardhshme se në cilin drejtim duhet të adaptohet bujqësia jonë ndaj ndryshimeve klimatike.

Nga ana tjetër, bazë për rajonalizimit do të jetë sistemi informativ i truallit të Republikës së Maqedonisë që do të sigurojë informacione për përbërjen dhe strukturën e truallit në shtet. Ai do të mbi-ndërtohet me kushtet klimatike, karakteristikat agrobiologjike të kulturave dhe llojeve, nevojave për investime në infrastrukturë në rajone sipas prodhimeve lidhur me rrugët, rrymën dhe vaditjen, si dhe parametrat agro-ekonomik me qëllim që të fitohet pasqyrë e kompletuar e bazuar në analizat moderne shkencore.

Agronomët thonë se rajonalizimi në bujqësi paraqet një instrument për të rritur maksimalisht edhe përfitimin. Kjo për shkakun se në një territor të caktuar nxitet specializimi në atë kulturë bujqësore që në atë zonë rritet me sukses më të madh, me më pak shpenzime, për të përfituar më shumë të ardhura. Sipas tyre, specializimi i rajoneve për një kulturë të caktuar bujqësore do të paraqesë edhe një hap përpara drejt fuqizimit të ekonomisë së tregut pasi çdo zonë do të fitojë orientim se çka duhet të mbjellë që të jetë më konkurruese në treg.

Agronomët theksojnë se me përgatitjen e një harte të tillë të rajonalizimit të prodhimit bujqësor do rikthehet tradita e dikurshme kur dihej se sipas cilave kulture dallohen rajonet e ndryshme bujqësore. “Përgatitja e kësaj harte do të jetë në favor të bujqve pasi në çdo rajon do të specializohet për një kulturë të caktuar e cila është më e përshtatshme për atë zonë. Kjo do të mundësojë të dimë se cila zonë jep rendimente të caktuara me cilësi dhe sasi më të madhe, ndërsa shteti do të din se kush dhe sa prodhon. Çdo rajon do të fitojë orientim se çka duhet të mbjellë dhe cila do të jetë kulturat e tij strategjike që do të paraqesë edhe një hap përpara drejt ekonomisë së tregut”, thonë agronomët.

ORGANIZIM SIKURSE BE

Në ndërkohë, të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian kanë organizim të ngjashëm të prodhimtarisë bujqësore. Komisioni Evropian përmes Entit Evropian të Statistikave (EUROSTAT) pasqyron mbulimin e tregut evropian me kultura bujqësore sipas vendeve të origjinës, thënë thjesht pasqyron cili vend mbulon tregun evropian me mollë, patate, drithëra e të tjera. Përmes një politike orientuese BE-ja nxit anëtarët e saj në prodhimet bujqësore më të favorshme të zonës së tyre. Harta rajonale e bujqësisë në Maqedoni do të ndihmojë që fermerët të fokusohen në prodhimin e atyre produkteve bujqësore që favorizohen nga kushtet e zonës, duke marrë kështu produkte cilësore që do të rrisin edhe eksportin.

Në ndërkohë përvojat evropiane tregojnë se rajonalizimi i prodhimtarisë bujqësore paraqet edhe një mundësi për të shfrytëzuar maksimalisht potencialet bujqësore të një trualli pa bashkuar tokën, por duke u orientuar në një prodhimtari të përbashkët bujqësore karakteristike për një zonë të caktuar bujqësore. Për shembull nëse në një hapësirë të caktuar bujqësore qeveria mbështet vetëm kultivimin e mollëve, dardhave , domateve , apo gështenjave

atëherë gradualisht edhe pa pasur nevojë të bashkohet toka , fermerët bashkohen në kultivimin të një kulture të përbashkët bujqësore. Në këtë mënyrë në mënyrë maksimale rriten përfitimet nga shfrytëzimi i një hapësirë të përbashkët bujqësore. Thënë ndryshe, rajonalizimi në bujqësi, shumëfishon fitimin , nxit specializimin në zona të caktuara bujqësore dhe blegtorale si dhe ul koston e prodhimit.

PËR TRE MUAJ JANË PAGUAR 60 MILIONË EURO PËR SUBVENCIONE

Në tre muajt e kaluar morëm një sërë masash, ofruam vendime dhe ndryshuam ligje – çdo hap i yni ishte vetëm në interes të bujqve, sepse zhvillimi i bujqësisë është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, theksoi ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave, Lupço Nikollovski i cili e prezantoi atë që u punua për 100 ditë nga formimi i Qeverisë. Nikollovski tha se kjo ka qenë një periudhë turbulente kur aktivitetet bujqësore janë në pikun e tyre të plotë dhe se Qeveria e re po ballafaqohet me obstruksione nga pushteti paraprak që për ta si Qeveri ka qenë sfidë dhe nxitje menjëherë të orientohen në zgjidhjen e çdo problemi dhe marrjen e masave përkatëse. Ministri i Bujqësisë numëroi një sërë aktivitetesh dhe masash.

“Zhbllokuam pagesën e subvencioneve, për tre muaj janë paguar 60 milionë euro për subvencione, me ndryshimin e Programit për ndihmë financiare në bujqësi dhe zhvillim rural siguruam masa shtesë për përkrahje financiare, publikuam dy shpallje për ndarjen e tokës bujqësore shtetërore me qira për sipërfaqe deri në tre hektarë dhe mbi tre hektarë, e vazhduam afatin për aplikimin e subvencioneve për Programin për përkrahje financiare për vitin 2017 dhe afatin për aplikimin e IPARD 2 Programit”, tha Nikollovski. Filloi, siç tha, realizimi i politikave strategjike afatgjatë. Për vetëm tre muaj janë realizuar 36 pagesa për subvencione me vlerë prej 60 milionë eurosh, për rreth 50 mijë bujq.

Në trend Lajme

Më shumë
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

Siguri
Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Lajme
Knaus

Knaus "godet" sërish: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me krijimin e Asociacionit pamundëson realizimin e të dyjave

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Lajme
Kalo në kategori