Netflix modifikon ofertën prej 72 miliardë dollarësh për të blerë Warner Bros

Netflix ka rishikuar ofertën e saj prej 72 miliardë dollarësh (61.3 miliardë eurosh) për të blerë Warner Bros. Discovery në mënyrë që i gjithë transaksioni të paguhet ekskluzivisht me para në dorë.
Netflix kishte propozuar më parë një ofertë të kombinuar me para në dorë dhe aksione me vlerë 27.75 dollarë për aksion të Warner Bros., duke i dhënë kompanisë një vlerë totale të ndërmarrjes prej 82.7 miliardë dollarësh (70.1 miliardë euro), përfshirë borxhin.
Netflix dhe Warner Bros. thanë të martën se marrëveshja e rishikuar thjeshton strukturën e transaksionit, sjell siguri më të madhe në lidhje me vlerën për aksionarët e Warner Bros. dhe përshpejton rrugën drejt një votimi të aksionarëve të Warner Bros. për blerjen.
Kompanitë thonë se transaksioni tërësisht në para të gatshme vlerësohet ende në 27.75 dollarë për aksion të Warner Bros. Aksionarët e Warner Bros. do të marrin gjithashtu vlerë shtesë përmes aksioneve në Discovery Global pasi kjo e fundit të ndahet nga Warner Bros.
“Së bashku, Netflix dhe Warner Bros. do të ofrojnë zgjedhje më të gjerë dhe vlerë më të madhe për audiencat në të gjithë botën, duke përmirësuar aksesin në përmbajtje televizive dhe filmike premium si në shtëpi ashtu edhe në kinema”, tha në një deklaratë Ted Sarandos, një nga drejtorët ekzekutivë të Netflix.

Ai shtoi: “Kjo blerje do të zgjerojë ndjeshëm kapacitetin e prodhimit në SHBA dhe investimet në programimin origjinal, gjë që do të stimulojë krijimin e vendeve të punës dhe rritjen afatgjatë të industrisë.”
Warner Bros. njoftoi më parë se Warner Bros. dhe Discovery Global do të ndahen në dy kompani të veçanta që do të tregtohen publikisht. Kjo ndarje pritet të përfundojë brenda gjashtë deri në nëntë muajsh, përpara se të mbyllet marrëveshja e planifikuar me Netflix. Transaksioni me Netflix duhet të finalizohet 12 deri në 18 muaj nga data kur Netflix dhe Warner Bros. nënshkruan fillimisht marrëveshjen e bashkimit.
Bordet e drejtorëve të të dy kompanive kanë miratuar një marrëveshje të rishikuar që kalon në një transaksion vetëm me para në dorë.
Netflix për Warner Bros. në konkurrencë me kompaninë Paramount Skydance. Paramount ndërmori një hap të ri në ofertën e saj armiqësore për blerjen e Warner Bros. javën e kaluar, duke njoftuar se do të propozojë listën e vet të kandidatëve për bordin e drejtorëve para mbledhjes së ardhshme të aksionarëve të studios hollivudiane.

Paramount ngriti gjithashtu padi në Gjykatën e Kancelarisë në Delaware, duke kërkuar që Warner Bros. ta detyrojë atë t'u zbulojë aksionarëve se si e vlerëson ofertën e tyre dhe ofertën konkurruese të Netflix.
Menaxhmenti i Warner Bros. ka refuzuar vazhdimisht qasjet e Paramount dhe i ka nxitur aksionarët të mbështesin shitjen e biznesit të saj të transmetimit dhe filmave te Netflix. Ndërkohë, Paramount është përpjekur të përmirësojë më tej ofertën e saj për të gjithë kompaninë, e cila tani është 77.9 miliardë dollarë.
Aksionet e Netflix u rritën me 1.3 përqind përpara hapjes së tregut të aksioneve, ndërsa aksionet e Warner Bros. Discovery ranë pak. /Telegrafi/





























































