Izraeli po punon shpejt për të goditur sa më shumë objektiva me prioritet të lartë në Iran, për shkak të shqetësimit se presidenti amerikan, Donald Trump mund ta përfundojë papritur luftën.

Këtë informacion e ka publikuar New York Times, duke iu referuar dy zyrtarëve të lartë izraelitë dhe dy personave të informuar për këtë çështje.


Sipas raportit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu të martën ka urdhëruar ushtrinë që të shkatërrojë sa më shumë nga industria e armëve të Iranit brenda 48 orëve të ardhshme.

Netanyahu dhe drejtuesit izraelitë të sigurisë nuk besojnë se plani prej 15 pikash i Trumpit do të siguronte eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit dhe të raketave balistike.

Kujtojmë se dje u publikua lista me 15 kushte që amerikanët ua kanë vendosur iranianëve për një ndërprerje të konfliktit për një muaj. Kjo do t’u mundësonte palëve që, përmes negociatave gjatë kohës pa luftime, të arrijnë një marrëveshje për paqe të qëndrueshme.

Megjithatë, izraelitët nuk janë të kënaqur me këtë, pasi dëshirojnë që negociatat të zhvillohen ndërkohë që vazhdojnë sulmet amerikane dhe të tyre ndaj Iranit.

“Skenari i një marrëveshjeje të shpejtë dhe të paqartë në parim po u shkakton net pa gjumë liderëve politikë dhe të sigurisë në Izrael”, ka shkruar dje Kanali 12 izraelit, duke shtuar se një marrëveshje e tillë mbart rrezikun e një situate ku iranianët në thelb do të dilnin në avantazh, ndërsa konflikti do të përfundonte para se të përcaktohen kushtet e sakta. /Telegrafi/