“Nëse vjen Neymar, dua të vij edhe unë”, Thiago Silva zbulon si Kylian Mbappe e kërkoi kalimin te PSG-ja

Thiago Silva ka zbuluar prapaskenat e ardhjes së Kylian Mbappe te Paris Saint-Germain, duke folur edhe për mënyrën se si më vonë u përkeqësua marrëdhënia mes tij dhe Neymarit.
Në një intervistë për Ligue1+, ish-kapiteni i klubit parisien kujtoi momentin kur sulmuesi francez shprehu dëshirën për t’iu bashkuar projektit të PSG-së.
“Më kujtohet shumë mirë Superkupa e Francës kundër Monacos së Mbappes, të cilën e fituam 2-1. Në fund të ndeshjes ai erdhi tek unë dhe më tha: ‘Nëse vjen Neymari, dua të vij edhe unë’.
“‘Mund të flasësh me presidentin. Edhe unë dua të jem pjesë e këtij ekipi’. Neymari nënshkroi dhe më pas erdhi edhe Mbappe. Që nga fillimi u krijua një miqësi e jashtëzakonshme”, tregoi Silva, duke theksuar kiminë e hershme mes dy yjeve.

Ai shtoi se më vonë gjërat ndryshuan mes tyre.
“Më pas, disa vite më vonë, ndodhi ajo që ndodhi. Jam pak i zhgënjyer me mënyrën se si përfundoi gjithçka. Duhej të kishte shkuar ndryshe”, përfundoi braziliani.
Neymar dhe Mbappe fituan gjithçka në Francë, megjithatë dështuan ta fitojnë Ligën e Kampionëve me PSG-në. Klubi francez e fitoi trofeun më të madh në botë, vetëm kur të dy u larguan nga klubi./Telegrafi





















































