LAJMI I FUNDIT:

Nëse e doni jetën, shkoni në Paris!

Nëse e doni jetën, shkoni në Paris!

Kryeqyteti i kulmeve të kulturës botërore, Parisi, nuk e ka lënë indiferent asnjë vizitor, që ka rastin dhe fatin e bardhë ta vizitoj qytetin e dritave dhe të ëndrrave.

Shkruan: Shaqir Foniqi


‘Nuk dua të vdes pa e parë Parisin dhe pikë’, ‘Shihe Parisin dhe vdis’, ‘Kur Parisi zbret nga Qielli’, ’Nuk mjaftojnë njëqind sy’, ‘Ky qytet do të më vrasë’, ‘Në Paris, ndryshe shkon, ndryshe vjen’, ‘Paris, të dua’, ‘Nata në Paris nuk është si çdo natë’, ‘Paris, të dua’ …e shumë emërtime të tjera janë thurë për Parisin, ose qytetin e imagjinatës dhe fantazisë së pakufishme.

Bon anniversaire (Më fat ditëlindja, Paris) është fjala që më shumti i rri këtij qyteti, i cili, saherë që e viziton, të duket gjithnjë e më i rinuar dhe më me fat…

Parisi është i njohur qyteti më i madh i Francës, por edhe si qytet i dritave, i modës i kulturës, i romantikës, i argëtimit dhe i kuzhinës së mrekullueshme – nuk është vetëm i Francës, por është metropol i vërtetë kozmopolit! Shtrihet në dy brigjet e lumit Sena, në Francën Veriore, në krahinën Ile-de-France. Pos që është qendër kulturore, politike, industriale dhe qendër e jetës tregtare e tërë shtetit, është edhe qendër e artit, e modës dhe e kuzhinës së tërë botës.

Parisi është njëri ndër qytetet e rralla në të cilin mund të përshkruhet me më shumë se dhjetë fjalë: Tour Eifeel, Champs Elysees, Notre Dame, Moulin Rouge, Louvre, Seine, L’Arc de Triomphe, Pigale, Montmartre, Disneuyland, etj. Përveç kësaj, Parisi është kryeqytet i modës dhe i parfumeve.

Përse duhet të shkohet në Paris?

* Parisi është qyteti me numrin më të madh të përmendoreve dhe ndërtesave impozante. Nuk dihet se ato përmendore a duken më të bukura dhe më interesante ditën apo megjithatë më sharmante dhe më tërheqëse natën, në këtë qytet të dritave!
* Kozmopolitizmi par excellence (në kuptimin e plotë të fjalës) – si për nga pamja e llojllojshme e njerëzve, gjithashtu edhe për nga gastronomia – përjetimet e shfaqjes së suvenireve…
* Llojllojshmëria e disa kuarteve të komunave, pothuajse duken si të jenë të dy shteteve.
* Arkitektura, urbanizmi, qarkullimi – të gjitha janë valëvitës dhe uniforme…
* Nëse e doni jetën, shkoni në Paris! – Sepse aty vërtet është – c’est la vie!

124739-849x565-cheek-kiss

Si janë parisienët?

Edhe pse klishetë e ndryshme i paraqesin si njerëz që ecin me nguti dhe arrogantë, ata, para së gjithash, janë hedonistë, gjithmonë janë të gatshëm për të kremtuar, për t’u argëtuar nëpër baret dhe klubet më të mira me miqtë në tarraca të kafeve të tyre legjendare. Përshëndetjet e rëndomta parisiene miqësore janë puthjet e obligueshme në faqe, siç i ka hije qytetit të dashurisë.

Kuriozitetet

Prej madhështisë së Kullës së Eifelit dhe misteriozitetit të Muzeut të Luvrit deri te aromat e specialiteteve të kuzhinës franceze, posaçërisht ëmbëlsirave, të cilat i dehin të gjitha ndjenjat, deri në shëtitjen “dorë për dore” nëpër urat e Sienës, duke vëzhguar perëndimin e diellit – “Qyteti i dritave” vërtet të frymëzon.

kulla

Kulla e Eifelit

Nëse kërkoni skenografinë ideale për puthje franceze, hipni në maje të Kullës së Eifelit. Njëra ndër atraksionet më të njohura, jo vetëm të Parisit por edhe të tërë botës, të lartë 324 metra, të cilën e ka projektuar Gustav Eiffel, më 1889 për Panairin botëror. Që nga atëherë, më shumë se njëqind vjet, shkakton psherëtima.

Place de l’Opera

Place de l’Opera

Opera parisiene është vendi i lindjes së tregimit të njohur të dashurisë mbi “Fantazmën e operës”. Operën e ka dizajnuar arkitekti Charles Garnier, ndërsa është ndërtuar në fund të shekullit XIX. Graniti, bronzi, prarimi, stofrat luksoze, abazhurët e kristaltë, nga të cilët njëri është i rëndë më shumë se gjashtë tonë – janë lukse me shkëlqim të plotë.Avenye des Champs-Élysees

Sheshi i Elizesë (Avenue des Champs-Élysees)

Sheshi i Elizesë është avenyja më prestigjioze në Paris, ndërsa francezët kanë qejf të thonë se është më i bukuri në botë. Ka sipërfaqe prej 2 kilometrave, prandaj në rrugën më të shtrenjtë evropiane mund të gjeni shumë shitore të mallrave luksoze, të rrobave, të stolive dhe të orëve, nga të cilat më të njohurat janë – Louis Vuitton (më i madhi në botë), Cartier, Givenchy, Fendi, Omea, L’Atelier Renault, Lacoste, etj.

louvre

Muzeu i Luvrit

Luvri është njëri ndër muzetë më të famshëm dhe më të mëdhenj në botë, është i vendosur bashkë me përmendoret historike të Parisit, Palais du Louvre, në bregun e lumit Sena. Historia e ndërtesës daton nga shekulli XII, mbetjet e të cilit edhe sot janë të dukshme, ndërsa gjatë kohës gjithnjë e më shumë është mbindërtuar, posaçërisht në shek. XIV dhe XVI, kur një kohë ka qenë rezidencë mbretërore. Piramidat e xhamit janë shtuar nga fundi i shekullit XVIII dhe në fillim viteve 90 të shekullit të kaluar.

Muzeu është hapur zyrtarisht më 1793 gjatë kohës së Revolucionit Francez, me diç më shumë se 700 ekzemplarë, në mënyrë që për çdo vit është bërë gjithnjë e më i pasur me vepra artistike. Sot ka më shumë se 380 mijë vepra, ndërsa aktualisht janë ekspozuar rreth 35 mijë sosh: vepra egjiptiane, greke dhe romake, të artit islamik deri te skulpturat, skicat dhe një numër i madh i antikiteteve.

Notre Dame de Paris

Notre Dame de Paris

Është Katedralja më e njohur e Parisit. Është ndërtuar në stilin gotik Ile de la Cite, seli e peshkopit parisian. Emri i saj ka këtë kuptim: “Zonja Jonë”. Legjenda thotë se në shekullin XII, peshkopi parisien ka pasur një vizion mbi katedralen më të bukur, të cilën atëherë e ka skicuar në baltën në vendin e ndërtimit të tempullit të ardhshëm, në vendin e kishës së vjetër të rrëzuar. Në shek. XIX ka filluar restaurimi dhe rindërtimi i saj, më së shumti falë Vikor Hugos dhe romanit të tij “Kambanari i Kishës Notre Dame”, me të cilin ka dëshiruar të ngrinte vetëdijen mbi trashëgiminë kulturore të qytetit.

Parisi ka edhe parqe të shumta tepër të bukura, nga të cilët më i njohuri është “Jardin du Luxembourg, Jardins de Champs-Elysees dhe Jardin des Tuileries, i cili njëherësh është edhe parku më i vjetër.

Parisi është i njohur edhe si seli e College de Sorbonne, universitet prestigjioz i cili, bashkë me institucionet shkencore të shumta, ndodhet në Kuartin latin.

versaj

Pallati mbretëror

Nëse keni mundësi, vizitojeni Versajën, pallatin madhështor mbretëror të Luigjit XIV. Qëllimi i tij që selia e forcës së “Pallatit mbretëror” të transferohet nga Parisi në Versajë, ka ndikuar në pamjen e pallatit. Muret e stolisura me struktura të pasura të praruara, mobiliet e dekoruara me intrazione dhe inkrustacione, me stofra luksoze, me vepra artistike janë treguesit e vërtetë të jetës së aristokracisë franceze të asaj kohe. Njëra nga hapësirat më të njohura gjithsesi është Salloni i pasqyrave (Galerie des Glaces), e vendosur në katin e parë të Pallatit, që emrin e ka marrë për shkak të 357 pasqyrave.

Gjatë shëtitjes nëpër Paris do të keni rastin të blini ëmbëlsira të pasura me aroma të cilat me dekorimet e tyre do t’ju lënë pa fjalë. Ajo që gjithashtu duhet ta provoni janë çokollatat e ngrohta dhe kafja, bashkë me të cilat do të mund të fitoni edhe një trëndafil apo orkide. Veç kësaj, nuk bën të mos i provoni djathërat dhe verërat për të cilat Franca është posaçërisht e njohur. Nëse jeni të shoqëruar nga francezët, mos e përzieni verën me ujë apo me Coca cola, sepse mund t’i hidhëroni.

Parisi është i njohur edhe me javën e modës, njërën nga më të vizituarat në botë. Nëse vendosni të udhëtoni për në Paris, të jini të sigurt se nuk do të mund t’i rezistoni kënaqësisë unike të bukurisë së saj të pakalueshme, madhështisë dhe dinamikës. /Telegrafi/