Nënshkruhet memorandum për projektin “Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim” në Podujevë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe përfaqësuesja e Iniciativës “Education Empowerment Initiative” (EEI), Blerta Aliu, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për zbatimin e projektit “Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim”.
Ky projekt ka për qëllim forcimin e edukimit medial, sigurisë digjitale dhe mendimit kritik tek mësimdhënësit dhe nxënësit, si dhe promovimin e një qasjeje bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse në sistemin arsimor, përcjell Telegrafi.
Me këtë marrëveshje, Komuna e Podujevës dhe EEI synojnë të ndihmojnë mësimdhënësit dhe nxënësit që të zhvillojnë aftësi për t’u orientuar me përgjegjësi në hapësirën digjitale dhe për të njohur e parandaluar dezinformimin.
Kryetari Shpejtim Bulliqi theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke e cilësuar si një domosdoshmëri në kohën e përdorimit masiv të teknologjisë dhe përhapjes së informacionit të rremë në platforma të ndryshme online.
Sipas marrëveshjes, ekspertët nordikë do të zhvillojnë një program “Training of Trainers” për ekipin lokal të EEI-së, me qëllim që ata të jenë të përgatitur për trajnimin e mësimdhënësve në shkollat e Podujevës.
Pas përfundimit të programit, trajnerët e certifikuar do të organizojnë sesione trajnimi me 30 deri në 40 mësimdhënës në shkollat e përzgjedhura, me fokus në: edukimin medial dhe analizën kritike të burimeve të informacionit, sigurinë digjitale dhe sjelljen e përgjegjshme në internet, parandalimin e dezinformimit dhe përmbajtjeve të dëmshme online.
Kohëzgjatja e këtij memorandumi është 18 muaj. /Telegrafi/


































