Moisi, Lolo dhe Artan Habilaj janë emrat që krijuan një ciklon politik, më i madhi i viteve të fundit në Shqipëri.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po kërkon lidhjen e aktivitetit kriminal të tre banorëve të fshatit Babicë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Moisiu u arrestua në Itali me akuzën e trafikut të hashashit. Me vëllezërit e tij, ai është përgjuar duke folur për tonelata hashashi që dërgonin drejt Siçilisë. Lolo, Floriani dhe vëllai i madh Artani janë zhdukur sepse kërkohen nga policia.
Habilajt gjithçka e kanë nisur në fshatin Babicë me 100 familje. Fshati ndodhet 20 kilometra larg Vlorës, mes kodrave dhe në anë të një liqeni të vogël artificial.
Në këtë fshat të gjithë njihen me njëri-tjetrin apo kanë lidhje farefisnore, por jo të gjithë duan të flasin për Habilajt pas famës që fituan.
“Nuk i njohim, nuk jemi nga këtu fare”, thonë dy gra.
Babica është e rrethuar nga ullinjtë dhe disa kopshte të vogla. Rrugët janë të dëmtuara dhe të vjetra, ashtu si shumica e mureve rrethuese të oborreve të shtëpive. Banorët kanë lidhje miqësie dhe i pari që gjejmë është vjehrri i Moisi Habilajt.
“Krushk e kam, vajzën e kam dhënë tek Moisi Habilaj. Për mua, nuk ka bërë gjë. Për mendimin tim që e kam dhëndër, e kam djalë, i pafajshëm është, as ka vrarë dhe as ka prerë”, thotë Lavdosh Mezurai.
I moshuari invalid thotë se dhëndri, Moisiu, nuk ka bërë asnjë krim, nuk ka vjedhur dhe nuk ka vrarë askënd, por ka punuar dhe siç thotë vetë, ka shitur disa kilogramë ilaçe në Itali.
“Ai s’ka vajtur për të vjedhur, ai ka vajtur për të ushqyer kalamajtë, siç venë gjithë bota që merret me ato pisllëqe. Ku e dinte ajo? S’e dinte fare çupa ime. Unë ushqehem vetë. Ja, vajta dy vjet xhaxhi kështu (teksa tregon këmbën e çalë), unë punoj vetë”, shton vjehrri i Moisiut.
Lavdoshi na shoqëron për të na treguar shtëpitë e Habilajve, por nuk është aspak e vështirë të gjenden. Habilajve duket se ju ka ecur, të paktën deri para disa javëve. Porta me hekur të punuar me thurje është hyrja në oborrin ku ndodhen dy vila të reja dhe shtëpia e vjetër ku jetonin një pjesë të kohës njerëzit më të kërkuar aktualisht në Itali dhe në Shqipëri.
Vilat e Habilajve janë të rrethuara në një anë me mure dhe janë të vetmet në fshat me ndriçim vertikal. 10 kamera sigurie kanë vënë vëllezërit Habilaj në vilat e tyre dhe me to kontrollonin çdo lëvizje në rrugët rreth vilave.
Ata akuzohen se kanë trafikuar 3.5 tonë hashash drejt Italisë, por nëna e tyre Zenepja na tregon se për një dekadë kanë punuar me një tjetër bimë jeshile.
“Djemtë e mi, në radhë të parë, janë të pafajshëm dhe të tëra i kanë me djersën e ballit. 10 vjet në det ata me maune, perime, fruta, të gjitha… Unë vetë si Zejnepe, bashkë me burrin tim, kam punuar 10 vjet me dy serra, edhe me dy dylym bizele që ma di fshati. Kam punuar bashkë me djemtë. Djemtë të tre kishin firmën e tyre dhe unë me burrin punoja në dy serra. Unë kaq di për ta”, thotë nëna.
Ditën kur djali i saj Mosiu u arrestua në Itali, gruaja 69-vjeçare ndodhej në Greqi: “Unë faktikisht isha në Greqi, kisha tre javë, isha e sëmurë. Kur ka ndodhur kjo punë, nuk kam qenë këtu. Kur erdha, më thanë kështu-kështu. Për mua si nënë, ata janë të pafajshëm. Me mua kanë jetuar këtu. Tërë ditën gërryej dhe ja, e heq stresin vetëm me punë. Për mua është një e pavërtetë sepse hahen qeveritë me njëra-tjetrën nuk më intereson fare. Zihen për karrike ata, nuk zihen për mua”.
Por, a e njeh ajo ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin?
“Unë nuk e njoh. Gjyshja ime e ka një kushëri të largët fare. Nuk e kam takuar kurrë, të betohem. Ka Zot. Unë si Zenepe nuk e njoh”, thotë nëna e Habilajve.
Telefoni i saj nuk resht së rëni, pak minuta pasi kamera jonë kaloi para syve kureshtarë pas dyerve në shtëpitë e fshatit Babicë. Nëna e Habilajve e ka një shpjegim se përse djemtë e saj janë përfshirë në këtë histori: “Një të do, 100 s’të duan. Do jetë ndonjë dhe kot ka folur për mendimin tim ai që ka spiunuar a ça ka bërë. Drejtësia do vejë patjetër në vend”.
Zenepja ngulmon duke thënë se djemtë e saj kanë punuar me fruta-perime dhe na tregon serrat edhe kopshtin ku nisi gjithçka.
Shtëpitë që vëllezërit Habilaj kanë ndërtuar tregojnë se janë ndër më të pasurit e fshatit. Për pasuritë e tyre është nusja e vëllait të madh ajo që e ka një shpjegim. Tina Habilaj i bashkohet vjehrrës së saj me dhjetra dosje e dokumenta. Ajo thotë se burri, Artani, i cili është në kërkim, është i pafajshëm. Dokumentet e kredive bankare deri në 800 milionë lekë janë për Tinën argumenti se tre vëllezërit, banorë të fshatit të vogël Babicë, pasurinë e tyre e kanë brenda ligjeve.
“Këto janë kreditë që ne kemi marrë ndër vite. Kjo është një kredi prej 5 milionë lekësh të reja. Kjo është e pesta kredi që kemi marrë për karburantin që shkojnë tek 700-800 milionë lekë”, thotë nusja.
Habilajt kanë ndërtuar një pikë shitje të karburanteve në anë të rrugës së re transballkanike. Ata kanë edhe disa prona të tjera, si një lokal.
“Kredia e fundit është marrë në muajin korrik 2017. Është marrë në emrin e Florianit, janë 110 mijë euro kredi. Kreditë janë përdorur për karburantin, për lokalin, për gjëra që ne kemi. Nga momenti që ti merr një biznes, edhe do ta rregullosh se nuk mund të punohet biznesi. Kjo është kredia tjetër. Kjo marrje huaje në vitin 2012 prej 135 mijë eurosh. Kredi kam marrë për arsye të punës”, thotë Tina Habilaj.
Enver Gjoni është fqinj me Habilajt dhe është rritur me ta, veçanërisht është shumë i lidhur me Lolon. Florian Habilaj është në kërkim ndërkombëtar dhe për prokurorët shqiptarë ai është njeriu që di emrin e shefit të madh, të cilin e përmend në përgjimet e zbardhura në dosjen e Prokurorisë së Katanias. Lolo, thotë Enveri, ka punuar që i vogël duke blerë ullinj në bregdet, e më pas i shiste.
Enveri nuk beson se shokët e tij të fëmijërisë të jenë marrë me punë të pista. Për këtë thotë se është i bindur: “I kam vëllezër, i kam fshatarë, gjiton. Lajmin e kam marrë pas 3 ditësh, nga televizori më saktë. Mendimi im? Është një fatkeqësi ça dëgjova në media dhe habitem. Unë duhet të isha në gjendje më të mirë, po të ishin në ato kushte ata siç thotë media. Po të kishin aq, edhe unë do isha më mirë. Shumë shpejt, shumë shpejt do të dalë e vërteta”.
Në fshat askush nuk e thotë fjalën hashash dhe banorët e tjerë jashtë kameras janë gati të betohen se vëllezërit Habilaj i kanë parë vetëm me arka me fruta-perime.
Sipas tyre, i sillinin nga Italia dhe ata i shisnin në treg, ja shisnin edhe hoteleve në bregdet. Për ta, Habilajt janë fqinjë të mirë që i kanë ndihmuar në ditë të vështira. Pas arrestimit të Moisiut, policia e rrethoi fshatin dhe kontrolloi jo vetëm shtëpitë e vëllezërve të famshëm, por edhe të miqve të tyre. Në anën tjetër të liqenit të vogël, përballë vilave të Habilajve, policia gjeti në një vilë dykatëshe 4 tonë hashash dhe një person u arrestua.
Ai zyrtarisht për policinë ishte bashkëpunëtori i vëllezërve Habilaj dhe në shtëpi mbante hashashin e grumbulluar nga ai që Prokuroria e Katanias e quan grup i organizuar i trafikut të lëndëve narkotike dhe armëve.
Nëse drejtësia provon që Habilajt janë vërtet një nga familjet më të rrezikshme të trafikut ndërkombëtar të hashashit, për këtë mund të kenë dy prova shtesë në fshatin e tyre të lindjes. E para, janë shtëpitë e tyre që shkëlqejnë mbi varfërinë e kasolleve të bashkëfshatarëve, që ashtu si në qytezat e vogla të familjeve mafioze refuzojnë të mohojnë bamirësinë e bosëve. Por, prova më e fortë është se fshati i vëllezërve më të kërkuar sot në Shqipëri e Itali, për trafik të hashashit, e kanë lënë jashtë vendlindjen nga gjethja e gjelbër e kanabisit.
Këtu mund të gjesh gjithçka, nga perimet e deri te ullinjtë dhe jo hashash. Por, gjurmët e parave që kanë fituar prej tij ama, janë mëse të dukshme. /tch/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë