Sulmuesi i talentuar i Mainzit, Nelson Weiper, ka konfirmuar se është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për të përfaqësuar Shqipërinë në nivelin A kombëtar.

20-vjeçari, i lindur në Gjermani, por me origjinë shqiptare nga nëna, e cilësoi këtë interesim si një nder dhe burim krenarie.


"Ata më kanë kontaktuar dhe tashmë më duan për ekipin A kombëtar. Është vërtetë një ndjenjë krenarie kur ekipi i parë i një vendi të dëshiron", u shpreh Weiper në një intervistë për prestigjiozen gjermane Kicker.

Megjithatë, sulmuesi i ri nuk e ka mbyllur derën për përfaqësimin e Gjermanisë, vend për të cilin aktualisht po luan me ekipin U21.

Ai theksoi se ambicia e tij është që të arrijë në Kombëtaren A të Gjermanisë, por nuk përjashtoi mundësinë e një ndryshimi në të ardhmen.

"Dua të tregoj talentin tim në ekipin gjerman U21 dhe të luaj për Gjermaninë sa më gjatë të jetë e mundur. Nëse gjërat nuk funksionojnë për Gjermaninë në një moment, (Shqipërinë) e shoh si një mundësi shumë të mirë", shtoi Weiper.

Aktualisht, Nelson Weiper është pjesë e përfaqësueses gjermane U21 në Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe.

Ai ishte protagonist në ndeshjen e fundit ndaj Anglisë U21, ku realizoi një gol në fitoren 2-1 që siguroi kalimin e Gjermanisë si lidere e Grupit B. /Telegrafi/

telegrafi sport app