LAJMI I FUNDIT:

NE TANI DO TË IKIM PAK NGA PAK

NE TANI DO TË IKIM PAK NGA PAK
Sergei Yesenin

Poezi nga: Sergei Yesenin
Përktheu: Faslli Haliti

Ne tani po ikim pak nga pak që këtej
Drejt vendit ku ka qetësi dhe gëzim.
Mbase, shpejt edhe unë do duhet të ngre
Plaçkat e mia mortore për në udhëtim.


Pyje të dashura mështeknash!
Ti tokë! E ju, rërëra të ultësirave !
Përpara kësaj turme në vrapim
Nuk mund ta fsheh melankolinë.

Kam dashur shumë në këtë botë,
Gjithçka që vesh mish dhe shpirt.
Paqe mështeknave që hapin degët
E pasqyrohen në ujin e trëndafiltë .

Për mjaft mendime kam rënë në heshtje ,
Shumë këngë brenda vetes kompozova.
I lumtur jam mbi këtë tokë të zymtë
Për gjithçka që jetova dhe frymova.

I lumtur jam që kam puthur gra,
Që shtypa lule, u shtriva mbi bar,
Dhe që nuk qëllova kurrë në kokë
Motrat tona kafshët, si i marrë.

E di që atje nuk lulëzojnë zabelet,
Nga qafa e mjellmës thekra s’fëshfërin
Ndaj para turmës së vrapuesve unë
Provoj gjithmonë rrëqethje, dridhërim.

Unë e di se në atë vend s’do të ketë kurrë
Fusha të tilla flokëverdha nën mjegulla krejt.
Edhe pse njerëzit për mua janë të dashur
Dhe jetojnë me mua mbi këtë tokë të shenjtë .