Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se në fshatin Reznik është vendosur gurthemeli për ndërtimin e një lapidari në nderim të nëntë anëtarëve të familjes Ujkani, të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe.

Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë familjarë të viktimave dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fjolla Ujkani.


Sipas Idrizit, lapidari do të shërbejë si vend kujtese dhe nderimi për viktimat, si dhe si dëshmi e përhershme e krimit të kryer ndaj familjes Ujkani.

“Masakra ndaj familjes Ujkani mbetet një nga plagët më të rënda në kujtesën tonë kolektive dhe një dëshmi e sakrificës së popullit tonë për lirinë që e gëzojmë sot”, ka shkruar Idrizi.

Ai ka përmbyllur njoftimin me homazhin: “Lavdi e përjetshme martirëve të familjes Ujkani”. /Telegrafi/