Në gjashtë muajt e fundit 50 mjekë nga komuniteti serb janë licencuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar sot Odën e Mjekëve të Kosovës.
Pas takimit aty, Kurti në një deklaratë për media tha se Oda e Mjekëve i ka 5500 mjekë të licencuar dhe prej tyre rreth 150 janë të komunitetit jo shumicë.
“Lajm fort interesant është që në gjashtë muajt e fundit janë rreth 50 mjekë të komunitetit serb që janë licencuar nga Oda e Mjekëve, pra që po inkorporohen në sistemin tonë të shëndetësisë...”, tha Kurti, raporton Telegrafi.
Kryeministri në detyrë tutje tha se ka rënie të theksuar të largimit të mjekëve dhe kërkesave për shërim jashtë vendit.
Ai njoftoi se me përfaqësuesit e Odës së Mjekëve kanë biseduar edhe për sfidat.
Sipas tij, një ndër sfidat është se nga 5500 mjekë të licencuar rreth 1600 mjekë do të dalin në pension në 10 vitet në vijim dhe duhet të zëvendësohen. /Telegrafi/




















































