LAJMI I FUNDIT:

Në Fushë Kosovë inaugurohet sistemi i ujit të pijshëm

Në Fushë Kosovë inaugurohet sistemi i ujit të pijshëm

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me Burim Berisha, Kryetar i Komunës së Fushë Kosvës dhe Kryeshefin Ekzekutiv të KRU Prishtina Ilir Abdullahu, kanë inauguruar sot sistemin e ujit të pijshëm në Fushë Kosovë.

Me këtë rast Ministri Valdrin Lluka, është shprehur se po përmbushet edhe njëri nga premtimet e dhëna për këtë komunë, i cili ka rëndësi të madhe për banorët e këtij qyteti.


“Një premtim të cilin e kemi bërë më heret po e realizojnë. Duke filluar nga sot qyteti i Fushë Kosovës do të ketë ujë të pijshëm 24 orë, 7 ditë në javë. Ne i lusim qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe te mos e shpërdorojnë ujin”, ka thënë ministri Lluka

Nga ana tjetër Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha inaugurimin e sistemit të ujit të pijshëm ka cilësuar si një nga projektet më të rëndësishme për qytetin.

“Që nga paslufta ky është njëri ndër projektet më të mira që ka pas qyteti i Fushë Kosovës. Falënderoj ministrin Valdrin Lluka, ministrin Bedri Hamza dhe Kryeshefin e KRU Prishtina, Ilir Abdullahu”, është shprehur Berisha.

Derisa në fjalën e tij Kryeshefi Ekzekutiv i KRU Prishtina Ilir Abdullahu tha se sot po finalizohet një projekt i një rëndësie të madhë për banorët e Fushë Kosovës duke bërë thirrje që të mos abuzohet më ujin e pijshëm.

“Sot po përfundon një projekt i filluar prej kohësh. Me që furnizimi me ujë varet nga të reshurat, ne gjithashtu i lusim qytetarët që të kenë kujdes në përdorimin e ujit të pijshëm. Unë gjithashtu falënderoj Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW) për donacionin e tyre për këtë projekt” shtoi ai.
Ndryshe, realizimi i këtij projekti është mundësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik MZHE, Ministria e Financave FI dhe KFW, ndërsa projekti në tërësi ka kushtuar 500 mijë euro. /Telegrafi/