LAJMI I FUNDIT:

Në Dragash përurohet shtatorja e Adem Jasharit

Në Dragash përurohet shtatorja e Adem Jasharit

Në nderim të figurës së legjendarit Adem Jashari, dje në Dragash është përuruar shtatorja e tij.

Qindra persona, në mesin e të cilëve veteranë të luftës ishin të pranishëm gjatë ditës së sotme për të nderuar figurën e heroit të luftës, Adem Jashari.

Në këtë ditë të veçantë, nuk mungoi as Rifat Jashari, vëllai i komandantit të UÇK-së.


Rifat Jashari, vëllai i komandantit, para të pranishmëve ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për krijimin e saj.

“I falënderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kontribuar për shtatoren e Ademit. Lavdi të gjithë dëshmorëve, bijve dhe bijave që derdhën gjakun për këto ditë që po gëzojmë sot”.

Vendosja e kësaj shtatoreje në këtë qytezë, zgjoi shumë polemika nga komuniteti boshnjako-goran. Të njëjtit e kundërshtuan një veprim të tillë.

Mirëpo, pavarësisht këtyre kundërshtimeve, Kuvendi i Dragashit mori vendim që të vendoset shtatorja e Adem Jasharit në qendër të qytezës.

Me 18 vota për, e dy të padeklaruar, ishte marrë vendimi për vendosjen e shtatores në qendër të qytezës së Dragashit, e po ashtu edhe emërimin e sheshit me emrin e komandantit të UÇK-së. /Opoja.net/