Komuna e Deçanit, në bashkëpunim me Fondacionin CNVP dhe kompaninë NPL Higjiena, ka nënshkruar sot një marrëveshje për instalimin e një sistemi modern të ngrohjes me biomasë druri në objektin e kompanisë Higjiena.

Ky sistem do të përdorë ashkla druri si burim energjie dhe synon të shërbejë si model i qëndrueshëm për ngrohjen e ndërtesave publike në të ardhmen.


Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, e vlerësoi këtë hap si një kontribut të rëndësishëm në drejtim të ruajtjes së mjedisit dhe shfrytëzimit racional të pasurive natyrore të komunës.

“Deçani ka mbi 16,700 hektarë pyje – një pasuri që duhet ruajtur dhe përdorur me mençuri. Mbetjet nga pastrimi dhe rrallimi i pyjeve mund të shndërrohen në energji të pastër dhe me kosto të ulët, duke reduktuar varësinë nga burimet tradicionale dhe ndotëse të energjisë,” theksoi Ramosaj.

Sipas njoftimit zyrtar, ky sistem me biomasë është një alternativë efikase dhe ekologjike që synon të përmirësojë performancën energjetike të ndërtesave publike, duke ulur kostot e energjisë dhe duke mbrojtur ambientin.

Ky projekt konsiderohet si një hap konkret drejt një Deçani më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm, duke krijuar shembull të mirë për komunat e tjera që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe investimet në energji të pastër./Telegrafi/